Bestseller ndërkombëtar! Kandidat për Man Booker Prize for Fiction, në 2003 dhe Oringe Prize for Fiction, në 2004. “Oriksi dhe Krejku” është njëkohësisht një histori e paharrueshme dashurie dhe një vizion rrëmbyes i së ardhmes, në një botë postapokaliptike.
Njeriu i Dëborës, i njohur si Xhimi para se njerëzimi të pllakosej nga një pandemi e tmerrshme, po rreket të mbijetojë në një botë, ku ai mund të jetë njeriu i fundit mbi dhe. Ai vajton për humbjen e shokut të tij të ngushtë, Krejkut, dhe të Oriksit, gruas së bukur e misterioze, me të cilën ishin të dashuruar që të dy. Në kërkim të përgjigjeve, Njeriu i Dëborës ndërmerr një udhëtim – me ndihmën e Krejkërve, fëmijëve sygjelbër të krijuar nga mendja brilante dhe e përbindshme e Krejkut – përmes natyrës së harlisur, që jo shumë kohë më parë pat qenë një qytet i madh, deri kur korporata të fuqishme e shpunë njerëzimin drejt një udhe të pakontrollueshme mutacionesh gjenetike.
Njeriu i Dëborës rreket të gjejë një shpjegim, për veten dhe për “fëmijët e Krejkut”, të krijuar në laborator, e vetmja formë e jetës inteligjente që ka mbijetuar në Tokë, fryt ekzemplar i inxhinierisë gjenetike. Janë të shumta gjërat që duan të kuptojnë ata, sepse janë krejt të paditur për marrëzitë e njeriut.
I botuar për herë të parë më 2003, Margaret Atwood na shpie në një të ardhme që tashmë është tepër aktuale dhe aspak “letërsi distopike e spekulative”, siç u cilësua asokohe. Me të njëjtën përzierje profecie dhe satire shoqërore me të cilën shkroi “Rrëfenjën e shërbëtores”, Margaret Atwood na dhuron një roman të mprehtë paralajmërues për të ardhmen e njerëzimit dhe për të sotmen e tij.
Siç kanë treguar Orwell-i, Huxley-i, Vonnegut-i dhe vetë Atwood-i në “Rrëfenjën e shërbëtores”, rrëfimi letrar i një utopie të dështuar mund të na çelë sytë mbi të vërteta të panumërta për gjendjen e planetit. Bota jonë mund të jetë ajo e Oriksit dhe Krejkut pas pak vjetësh, pas vendimesh të çmendura të atyre që lëvizin fijet e saj.
Kritika
Skenari i Atwood-it fiton rëndësi për shkak të shqetësimit tonë aktual lidhur me bioinxhinierinë, klonimin, rigjenerimin e indeve dhe hibridet bujqësore, duke na lëshuar kështu një thirrje paralajmëruese
The New York Times
Ky libër jashtëzakonisht magjepsës me një fantazi të lartë i bashkohet “Rrëfenjës së shërbëtores” në shoqërinë e të tjerë librave të shquar si “Më e mira e botëve” dhe “1984”, që i hedhin sytë drejt së ardhmes për të na paralajmëruar për rezultatin e miopisë njerëzore.
The Times
Rrëmbyes dhe drithërues… Zotësia e Margaret Atwood-it ia kalon edhe Orwell-it.
The New Yorker
“Mprehtësi, humor i zi dhe një rrëfim rrëmbyes… Margaret Atwood ka aftësinë ta joshë lexuesin.
Usa Today
Margaret Atwood ka zënë prej kohësh vend mes shkrimtarëve më të mirë të gjuhës angleze sot, por “Oriksi dhe Krejku” mund të jetë vepra e saj më e mirë deri tani… E shkëlqyer, provokuese, e mrekullueshme dhe jashtëzakonisht ngjethëse.
The Baltimore Sun
I shkëlqyer, nuk e lëshon dot nga dora… Atwood-i është njëkohësisht e magjishme dhe e fuqishme. Tejet inteligjente dhe përvëluese, me fantazi të madhe e dhembshuri që s’i mungon kurrë, ajo është një rrëfimtare gojëmbël, që i fsheh barnat e forta dhe të nevojshme të komentit të saj thumbues ndaj shoqërisë nën balsamin e personazheve jashtëzakonisht të koklavitura e rrëmbyese, si dhe situatave intriguese e përfshirëse.
The Atlanta Journal-Constitution