Akademia e Arteve dhe Shkencave të Filmit në mbrëmjen e të martës së 30 marsit, ka reaguar duke publikuar një letër rreth incidentit midis aktorëve, Will Smith dhe Chris Rock që ndodhi në ceremoninë e 94-të Oscars.
Në letrën e publikuar u ritheksua se kjo akademi artesh dënon veprimin e Smith, i cili u vërsul në skenë dhe e goditi Rockun pasi komediani bëri një shaka me mungesën e flokëve të gruas së Smith, Jada Pinkett Smith.
“Transmetimi televiziv i 94-të i Oscars të së dielës ishte menduar të ishte një festë e shumë individëve në komunitetin tonë që bënë punë të jashtëzakonshme vitin e kaluar. Jemi të mërzitur dhe të indinjuar që ato momente u lanë në hije nga sjellja e papranueshme dhe e dëmshme në skenë e një të nominuari. Për të qenë të qartë, ne dënojmë veprimet e Smith që ndodhën të dielën mbrëma. Siç përshkruhet në aktet tona nënligjore, bordi i guvernatorëve të akademisë tani do të vendosë për veprimet e duhura për Smith. Siç rregullohet nga ligji i Kalifornisë në lidhje me anëtarët e organizatave jofitimprurëse si akademia dhe i përcaktuar në standartet tona të sjelljes, kjo duhet të ndjekë një proces zyrtar që do të zgjasë disa javë”, u tha në deklaratë.
Akademia e Arteve dhe Shkencave të Filmit u zotua se do ta përditësojë publikun me zhvillimet nga kjo ngjarje.