Raportimi i gazetarit të “CNN” në Twitter sipas të cilit një djalë nga Kosova kishte gjetur portofolin e aktores Meryl Streep me 2000 dollarë brenda ka bërë xhiron e rrjetit.
Gjesti i tij fisnik për t’ia kthyer asaj, pa kurrfarë shpërblimi mahniti edhe gazetarin Bill Weir.
Sot ai pati një lidhje direkte me programin “Rudina” në Tv Klan dhe tregoi pak më shumë mbi ngjarjen.
“Meryl Streep s’e kam takuar ende është një nga aktoret e mia më të preferuara, por kam takuar vajzën e saj. Ajo ka qenë e para që ka ardhur të marrë portofolin, të cilin e gjeta në rrugë dhe pasi kontrollova dolumentat kuptova kush e kishte”, shpjegoi ai.
Zymeri tregon se portofolin e ka gjetur në Bruklin, në Nju Jork, ku edhe jeton e punon. Vendi i tij i punës grumbullon shpesh personazhe të artit dhe biznesit.
“I pashë fotografitë e fotot që u mundova të mësoj se kujt i përket çanta për t’ia kthyer. Shuma e parave ishte e madhe, por sidoqoftë që e kam mësuar prej prindërve të mi, që çfarëdo qoftë, me vlerë sado të madhe, kur s’të përket ty, nuk është e jotja. Vajza e saj në fillim tha “oh Zot i madh” dhe pasi u largua prej meje e kishte parë që s’mungonte asgjë. Më pas erdhi prapë e më tha që e ëma e kish dërguar sërish për shpërblimin sa për falenderim dhe e pranova”, pranoi Zymeri./revistawho.com








