Beniada Nishani për herë të parë në një rrëfim ndryshe në kopertinën e @revistawho. Fëmijëria, kujtimet, jeta në Itali, përvoja në “Big Brother Vip”, strategjitë që ndoqi dhe ato që do të bënte ndryshe, rikthimi në Shqipëri, projekte, Beniada i ka thënë të gjitha. Statusi aktual i Beniadës? Shhhh, e ka zbuluar!
Fotot : Fadil Berisha Intervista nga: Manjola Markola
Jeta është e bukur. Dimensionet e saj ndryshojnë çdo sekondë, minutë, orë, ditë e shumë më shumë ndër vite. E bota prej kësaj frymon, gjallërohet dhe krijon kujtime. Teksa hedhim sytë në horizonte të largëta, afrohen panorama të paimagjinueshme. Shkojmë drejt e në Itali, aty bëhen ku bashkë e bukura me natyrën, ushqimi i mirë me verën që të çmend, destinacione që lënë gjurmë të përjetshme. Aty është rritur edhe Beniada, vajza shqiptare me flokët e arta. Më parë Beniadën e njihnim prej kopertinave, prej fotove që na krijonin atë kornizën perfekte. Nuk kishte asgjë që bluja e syve të saj mos të shpjegonte. Një kornizë e qepur mirë, me idenë se mbetej aty. Por jo, vjeshta e vitit 2021 do të ndryshonte gjithçka, një mesazh, një ftesë, një biletë, një “reality show”. E arta e flokëve duke lëvizur, bluja e syve duke shkëlqyer, Beniadën e pamë ashtu siç është, pa filtra, pa barriera, pa shkrime që krijonin të tjera ide. Në “Big Brother Vip”, Beniada u pasqyrua e gjallë, e vërtetë, e bindur se “vajzat tona s’janë fasada”. Në një rrëfim të plotë për revistën “Who”, Beniada tregon rrugëtimin e saj në “Big Brother Vip”, përvojë që për të do të mbetet e paharrueshme, jetën në Shqipëri, brendin e saj dhe natyrisht projektet televizive. Statusi i Beniadës? Mbetet për t’u lexuar.
Kthehesh nga Festivali i Filmit në Venecia, me çfarë përshtypjesh e more avionin për në Tiranë?
Me përshtypje shumë pozitive. Çdo vit agjencia ime ofron modele dhe aktorë që po jetojnë më shumë sukses, unë u zgjodha së bashku me një modele dhe DJ për të qenë pjesë e premierës së filmit “Don’t worry my darling” dhe mezi prisja të isha pjesë e eventit të vitit. Mundohem gjithmonë të jetoj momentin pa pasur pritshmëri apo shpresa, kam takuar aktorë të Hollivudit, njerëz të thjeshtë dhe fantastikë, plot energji dhe kjo ishte gjëja më e mirë për mua. Konfirmimi se me vullnet, kohë dhe përkushtim, gjërat arrihen.
Si ka qenë ky cikël muajsh për ty, nga periudha kur prisje të bëheshe pjesë e “Big Brother Vip”, më pas brenda shtëpisë, dalja dhe tani?
Ishte një periudhë e ngarkuar pune ku përpiqesha të organizoja jetën time dhe planet e mia ishin Las Angeles, New York-u dhe Miami. Pastaj ndodh që kur organizon jetën tënde, Zoti të befason dhe ishte surpriza më e bukur. Brenda “Big Brother Vip” isha shumë e lumtur sepse qëllimi im nuk ishte të fitoja çmimin por të bëhesha e njohur për atë që jam. Për këtë arsye e kam shijuar çdo moment për të marrë me vete një kujtim të bukur nga kjo eksperiencë. Nga shtatori, para se të hyja deri më sot, gjithçka është e mbushur me plot energji. Do të doja të dërgoja mesazhe pozitive për të rinjtë. Ndonjëherë nuk duhet shumë, ata që punojnë në televizion duhet të jenë shembull për të tjerët. Por një shembull i vërtetë ,sepse jemi plot fasada. Si femër kërkoj gjithmonë stimuj të rinj, pres më të mirën nga vetja dhe nga të tjerët dhe besoj se kjo përvojë më ka ndihmuar edhe të forcohem.
Do t’i gjeje një përkufizim përvojës në “Big Brother Vip”?
Ishte një përvojë vërtet unike dhe e paharrueshme. Sigurisht një sfidë e vështirë, por po aq e bukur.
Çfarë ke menduar kur e ke parë veten jashtë, që ke thënë këtë duhet ta kisha bërë ndryshe, ato pengjet që mbeten pas përvojës?
Unë do ta bëja gjithçka njësoj. Nuk jam penduar për asgjë. Ndoshta do të isha përpjekur t’i artikuloja më mirë disa fjali, por gjuha e zemrës dhe e syve nuk mashtron kurrë. Unë mendoj se ata që duan iu kuptojnë edhe me pak fjalë. Ata që nuk duan, gjejnë justifikime.
Do kishe ndjekur një strategji tjetër, duke e parë me një sy tjetër tanimë?
Jo, nuk do kisha ndjekur asnjë strategji sepse populli është sovran dhe nëse mund të gabosh një herë, nuk të lë të gabosh dy herë. Njerëzit nga shtëpia, si unë, në fillim e duan transparencën. Dhe mendoj se për disa, përtej fitores, ishte çmimi më i mirë.
Nëse nuk do të ishte ky program, si do të riktheheshe në Shqipëri, e kishe menduar?
Jo, nuk e kisha planifikuar të jetoja këtu, ishte një zbulim që ndodhi brenda “Big Brother Vip”, ditë pas dite ndihesha gjithnjë e më e lidhur me këtë tokë. Të qenurit me banorët, duke kujtuar fëmijërinë tonë, traditat, muzikën, më bënë të kujtoja emocionet dhe ndjesitë që nuk i kisha pasur duke u rritur në Itali. Nuk ishte e planifikuar, por kur u ktheva këtu për disa intervista, u ndieva mirë. Ndonjëherë surprizat më të mira ndodhin kur ndalojmë së menduari. Pastaj jeta na befason.
E ke menduar si do të kishte qenë jeta jote nëse do të ishe rritur këtu?
Po, shpesh e kam menduar këtë. Sigurisht që shoqëria ushtron një lloj presioni ndaj individëve, dhe kjo ndikon në drejtimin e zhvillimit të identitetit të tyre. Duke qenë gjithmonë një fëmijë i vendosur, pak jokonvencional, gjithmonë kam luftuar që dëshirat e mia të dëgjohen. Në shtëpi nuk donin që unë të studioja art, por duhej ta pranonin. Në shkollë më tallnin sepse në moshën 12-vjeçare thashë se do të bëhesha modele, shikoja sfilata dhe lexoja “Vogue Italia”. Unë do të kisha bërë të njëjtën gjë edhe nëse do të isha rritur këtu. Unë besoj shumë tek energjia dhe kam bindje të fortë që nëse diçka e do shumë, herët a vonë do të vijë. Pra, edhe pse sigurisht që do të kishte qenë më e vështirë, unë ende mendoj se do të kisha arritur këtu ku jam. Sepse secili prej nesh ka lindur me një “PIN”.
Të rikthehemi pak në kohë, si ka qenë fëmijëria jote, ke copëza kujtimesh që i ruan me fanatizëm?
Jam rritur në një familje ku vështirësitë përballohen së bashku, prindërit e mi emigruan kur kishin dy fëmijë dhe gjithçka që kam, ua detyroj atyre. Ata ishin shtylla kurrizore e një shtëpie të bërë me pak gjëra materiale, por me shumë dashuri. Si fëmijë, i pashë shokët e mi të klasës me çantat e stileve më të mira. Që fëmijë nuk u kam dhënë kurrë rëndësi këtyre gjërave. Babai punonte çdo ditë, e dëgjoja të vinte në shtëpi natën vonë, ishte mamaja ime që kujdesej për mua dhe vëllain tim, por e diela ishte dita jonë e shenjtë. Shkonin në meshë dhe e kalonin ditën me familjen, me kushërinjtë dhe të afërmit. Po, kam një kujtim që e kam të shenjtë. E kam thënë gjatë një bisede brenda shtëpisë së “Big Brother Vip” sepse dua që të gjithë fëmijët të jenë mirënjohës për sakrificat që bëjnë prindërit e tyre. Ndonjëherë duke u rritur, ata harrojnë atë që kanë bërë për ne. Por janë këto kujtime që na kujtojnë nga vimë.
Nëse Beniada nuk do të ishte modele, çfarë do të ishte, cilat kanë qenë dëshirat e tua?
Varet, kur isha fëmijë ndryshoja vazhdimisht, një muaj doja të isha edukatore, dhe muajin tjetër e shihja veten si rrobaqepëse. Të dyja këto mendoj se përfaqësojnë karakterin tim. Të them të drejtën, kam filluar të punoj si modele në moshën 16-vjeçare kur më pushuan nga puna si kamariere në një restorant. Asokohe punoja fundjavave buzë detit për të marrë ca para dhe gjatë një turni të mbrëmjes i hodha një pjatë me makarona sipër një klienti. Pronari më pushoi, por klienti kishte një agjenci të vogël mode dhe më kërkoi të bëja foto për një markë të vogël. Nuk u ndala kurrë që atëherë. Atëherë qava gjithë natën, sot e falënderoj.
Ka diçka që pyesin të gjithë, çfarë statusi është Beniada tani?
Statusi i lumturisë, pranohet?
Në “Big Brother” nuk e pe veten çift? Ishte zgjedhje që prej momentin kur hyre apo nuk gjete personin?
Jo, nuk e kam parë kurrë veten pranë askujt. Asnjë zgjedhje e imponuar. Mendoj se jeta të prezanton me njerëzit në kohën e duhur, thjesht nuk ishte e shkruar.
Po duke e parë nga jashtë, me cilin nga personazhet do të funksiononte?
Hahahah, nga jashtë? Për strategji? Me askënd, do t’i kisha bërë gropën vetes. Njerëzit besojnë se në një “reality show”, gjetja e një personi për të arritur në finale, ndihmon. Ndoshta, por një person që beson në vetvete, nuk ka nevojë të falsifikojë ndjenjat. Nëse lind diçka e bukur dhe e vërtetë, mirë se të vijë. Por kurrë e rremë. Unë besoj në dashuri, në atë me A të madhe, por para syve të të gjithëve nuk do të isha vetvetja. Mezi flija në fillim me 16 veta e aq më pak të puthja me flutura në bark para gjithë botës. Ahahaha, jam pak me të vjetrën. Eheheh kush e priste? Edhe vetë u habita. Ti nuk ndalon kurrë së njohuri veten. Njoha një Beniada shumë më të ndrojtur nga sa mendoja. Por mua më pëlqen kjo gjë. Më kujton se edhe nëse rritemi brenda, jemi gjithmonë fëmijë të pastër, të pafajshëm dhe para dashurisë, dridhemi si gjethet e pemëve në vjeshtë.
Me cilët nga personazhet e “Big Brother VIP” ke ruajtur kontakte?
Kam pasur kontakte me disa prej personazheve, me ata që kam vlerësuar dhe më kanë vlerësuar.
U përfol marrëdhënia jote me Einxhelin, me Donaldin, Ilirin, cila është e vërteta e Beniadës në këtë pjesë?
Unë jam një person paqësor, nuk më pëlqejnë konfliktet, besoj është kuptuar. Unë kam shumë respekt për të gjithë konkurrentët e “Big Brother Vip”, të gjithë kanë lënë diçka të bukur. Negative nëse ka, e eleminoj si pjesë. Kaluam një kohë fantastike.
Tani je edhe në rolin e sipërmarrëses, ke krijuar linjën tënde të veshjeve, si erdhi ideja, çfarë pret tani prej saj?
Ideja e të krijuarit të një marke që të ishte e imja, lindi vite më parë. Jam rritur me një nënë rrobaqepëse dhe një baba që më bënte gjithmonë foto në shkollë, në festa, veshur si princeshë, isha modelja e tyre e preferuar, por unë isha si djalë kur isha e vogël. Pastaj në moshën 16-vjeçare, u transformova. Fillova të marr frymë edhe nga ky pasion dhe krijova veshje për miqtë e mi, fillova të pikturoja dhe pas universitetit për modë dhe dizanj, regjistrova logon time, “Benny Official”. Copat janë të gjitha “Made in Italy”, por unë i bëj këtu. Besoj se në jetë duhet të eksperimentosh dhe të guxosh pa pasur frikë se do të dështosh. Shpresoj që një ditë të kem atelienë time. Të shohim.
E kishe menduar se do të ishte kjo rruga që do të merrje, se do të ishe një influencere?
Jo, nuk kam dashur kurrë të bëhem influencuere, nuk më pëlqen të tregoj jetën time në Instagram. E përdor vetëm për punë. Unë postoj vetëm 10% të asaj që bëj. Në fakt unë jam antisociale, por me punën që bëj e kuptoj që është e vështirë të mos postosh. Nëse dua të postoj diçka e bëj, por pa stres dhe detyrime. Nëse do të ishte në dorën time, do të postoja ëmbëlsirat që përgatis në shtëpi apo pjata që gatuaj për vete. Unë duhet të bëhem një blogere ushqimi, aty do ta gjeja veten më së miri.
A paguhesh nga Instagrami, jeton prej tij?
Sigurisht, “Instagram” është kthyer në një skenë të fuqishme. Nuk njoh më askënd që nuk e përdor për një qëllim. Por e rëndësishme është të mos e teprojmë. Kam pranuar disa marka, nuk dua të sponsorizoj produkte që nuk i përdor dhe nuk më pëlqejnë. Të jesh një influencuere, është një punë e vërtetë dhe kërkon përkushtim. Nga Chiara Ferragni, te Mariano di Vaio për burrat, ka shumë personazhe që e kanë bërë 360 gradë biznes, madje edhe duke punësuar njerëz.
Do ta provoje përvojën me po të njëjtët personazhe?
Po, Big Brother-in do ta kisha bërë sërish me të gjithë personazhet, secili prej tyre pak ose shumë, ka lënë kujtime të mira.
Nëse një personazh të telefon dhe të kërkon këshilla sepse do të bëhet pjesë e “Big Brother”, çfarë do t’i thoje?
Ua rekomandoj të gjithë miqve të mi! Është terapi më vete! Iu ndihmon të kuptoni më mirë se kush jeni dhe çfarë dëshironi. Ke mundësinë të jesh me veten tënde. Dhe pastaj për çdo personazh që aspiron të bëjë television, është një trampolinë e bukur. Çdo përvojë është personale, por “Big Brother Vip” është një familje. Njerëzit që punojnë atje janë të mrekullueshëm. Personalisht më mungon dhoma e rrëfimit. Biseda me vëllain e madh, ishte terapi. E rekomandoj sepse është një përvojë që e mbart gjatë gjithë jetës. Çfarë të them ? Shijojeni jetën dhe nëse doni të bëni diçka, bëjeni!
Çfarë planesh dhe projektesh të presin këtë sezon? Do të të shohim në ekran, jashtë tij, ndonjë surprizë?
Po, do të jem pjesë e një programi me muzikë dhe shumë humor. Me Ervin Kurtin, Graciano Taganin dhe Mariana Kondin. Por jam shumë më e lumtur për faktin që do të prezantoj programin tim të parë, me protagonistë fëmijët “Të bëftë mirë”. Bashkë me fëmijët do të përgatisim receta të shijshme. Mezi po pres. Shpresoj t’iu pëlqejë.