Vitit 2022 pati një rëndësi të veçantë për kryeqytetin. U shkrua një histori që mbetet në përgjithmonën e Tiranës. Shpallja “Tirana Kryeqytet i Rinisë”, nuk ishte vetëm një çmim, ishte një mission që u krye me sukses. 365 ditë për të rrëfyer, për të treguar, për të lënë gjurmë. Në një intervistë për revistën “Who”, Aspasjana Kongo, CEO-Koordinatore e Përgjithshme e “EYC 2022” ka rrëfyer të thënat dhe të pathënat, sukseset, planet dhe sigurisht ëndrra e të rinjve, vazhdon.
Viti 2022 pati një rëndësi të veçantë për Tiranën, me një titull të rëndësishëm që i shënjohet historisë së saj, si ishte gjithçka që prej nisjes deri në ditën e fundit kur zoti Veliaj dorëzoi çelësin qytetit tjetër që merr titullin?
Viti që lamë pas ishte një vit fantastik, plot dinamika, me shumë emocione dhe i mbushur me aktivitete rinore. Në krahasim me qytetet e tjera që kanë mbajtur këtë titull më parë, kemi qenë autentikë drejt përmbushjes së nevojave dhe aspiratave të të rinjve shqiptarë dhe kemi thyer shumë rekorde. Nëse këtë vit do e përshkruaja me një togfjalësh për sa i përket punës sonë, do ishte: “Shpikëm rrotën çdo ditë!” Sepse ishte diçka e re për ne, dhe që nga dita e parë e deri në ditën e fundit ishte me plot ritëm e ngjyra, siç vetëm të rinjtë dinë. Ne tejkaluam 1000 aktivitetet që kishim planifikuar. Së bashku me partnerët që iu bashkuan rrugëtimit tonë ndërtuam dhe implementuam 8 programe që patën gjithëpërfshirje, si: Rinia prodhon Ekonomi Krijuese dhe Novacion; Rinia krijon Kulturë; Rinia zhvillon Kapacitete; Rinia dhe Pjesëmarrja; Rinia dhe Diversiteti; Rinia është Evropiane; Rinia dhe Eco-Health; Rinia dhe Hapësirat Rinore.
Titulli ka ndikuar gjithashtu në fuqizimin e bashkëpunimit të rrjeteve midis organizatave rinore shqiptare, të Ballkanit Perëndimor dhe ato evropiane. I gjithë rrugëtimi u mbyll me sukses në ceremoninë e organizuar më 8 Dhjetor në Pallatin e Kongreseve, me dorëzimin e çelësit nga ana e kryebashkiakut Veliaj te qyteti i radhës Lublini në Poloni, por aktivitetet për të rinjtë do vijojnë pasi puna dhe misioni i Kongresit Rinor Kombëtar është pikërisht vendosja e të rinjve në qendër të nismave që ndërmarrim.
Aktivitetet e veshën Tiranën me ngjyra, të cilat në fakt duken se erdhën si ogur i mbarë pas kohëve të vështira që kemi kaluar këto vite, jo vetëm shoqëria jonë por e gjithë bota. Cilat janë disa prej aktiviteteve që mund të na përmendni?
Aktivitetet kanë qenë të bazuara në 8 programet e sipërpërmendura, me një barazpeshë për të teta njësoj. Titulli u shtri ne 61 bashki dhe ky ishte një rekord që ndodhte për herë të parë në zhvillimin e programit që nga 2009. 3 ceremonitë kryesore kanë qenë edhe 3 aktivitetet kryesore që kanë pasur një përmasë jo vetëm të nivelit kombëtar, por edhe të mediatizuara edhe në nivel evropian. Ato janë: ceremonia hapëse, që ka ndodhur më 4 shkurt 2022, në 23 nëntor të 2022 ne dhamë çmimin për qytetin që do mbajë titullin në vitin 2025, si dhe në 8 dhjetor 2022 ishte ceremonia përmbyllëse e rrugëtimit. Përgjatë gjithë vitit kanë qenë mbi 1000 aktivitete qoftë ato të vogla apo të mëdha në nivel organizimi dhe implementimi. Shumë prej tyre kanë pasur një impakt të jashtëzakonshëm, si koncertet apo aktivitete të tjera kulturore dhe sportive, por edhe konferencat ndërkombëtare të organizuara në Tiranë.
Një aktivitet madhor mund të quaj edhe anëtarësimin e Kongresit Rinor Kombëtar në Forumin Rinor Evropian, ku për herë të parë Shqipëria u bë pjesë e një organizate ombrellë evropiane. Për ne të gjitha janë përzemër dhe nuk do doja të veçoja ndonjë specifik.
Si ka qenë për ju si koordinatore e përgjithshme e “Tirana EYC 2022” e gjithë kjo përvojë, keni nxjerrë ato përfundimet tuaja si personale, ashtu edhe profesionale natyrisht?
2022 ka qenë një eksperiencë e jashtëzankoshme dhe mund të them ndryshe nga gjithë eksperiencat e mëparshme, pasi jo vetëm ishte sfiduese si eksperiencë, ishte edhe një vit që solli mësime e reflektime të reja. Ishte një vit dinamik me plot sfida, me plot emocione. Unë jam e parimit që çdo gjë është e mundur edhe kur ke vetëm një vit kohë, apo limite kohore të përcaktuar. Dhe ne ia dolëm të krijonim një histori suksesi, jo vetëm për Tiranën, por për gjithë Shqipërinë!
Çfarë angazhimi patën të rinjtë, si e keni parë këtë pjesë, ka qenë angazhim befasues, apo i pritshëmm duke pasur parasysh që ka qenë dhe ndërveprim me të rinjtë evropianë?
Themi me plot bindje se viti 2022 ishte viti i të rinjve, në fokus të gjithçkaje ishin ata. Përgjatë këtij viti të rinjtë patën mundësinë të angazhoheshin në fusha dhe drejtime të ndryshme. Sigurisht që ka pasur edhe shumë punësime, me kontrata afatgjata dhe afatshkurtra, pra ka pasur një investim direkt te kapitali rinor dhe talentet e reja. Më duhet të theksoj dhe faktin që mbi 250 aktivistë u bënë pjesë e titullit dhe patën mundësinë të përfshiheshin dhe të ishin pjesë e aktiviteteve madhore që u realizuan në gjithë Shqipërinë. Titulli ka ndikuar gjithashtu shumë në fuqizimin e bashkëpunimit të rrjeteve midis organizatave rinore shqiptare, të Ballkanit Perëndimor dhe ato Evropiane. Mendoj që 2022 ishte befasues për të gjithë ne dhe i tejkaloi pritshmëritë e të gjithëve, duke thyer rekorde e duke vendosur standarde të reja për qytetet që do mbajnë titullin në vijim.
Partnerë nga rajoni dhe Evropa u shprehën shumë mbështetës për rrugëtimin e Tirana EYC 2022 dhe së bashku arritëm të implementonim nisma dhe projekte që prekin të rinjtë në Shqipëri dhe Evropë duke i sjellë ata kështu më pranë njëri tjetrin në shkëmbimin e eksperiencave dhe njohurive të tyre.
A e “shfrytëzuan” në një farë mënyre të rinjtë shqiptarë këtë mundësi për të mos e kornizuar aktivitetin e tyre apo projektet në vetëm 365 ditë, por edhe më tej?
Makro-programi “Tirana Kryeqyteti Evropian i Rinisë 2022”, krahas të tjerave pati si synim të rrisë investimet për të rinjtë, të transformojë qytetin e ta kthejë atë në një pikë ndërkombëtare takimi.
Gjithashtu, ne si ekip i Kongresit Rinor Kombëtar, u përpoqëm që përmes titullit të sjellim ndryshime pozitive duke inkurajuar jo vetëm pjesëmarrjen aktive, promovimin, mbrojtjen e diversitetit e gjithëpërfshirjen por edhe të lëmë shenjë që e gjithë kjo nismë e bukur dhe ky titull që sollëm me plot krenari në Tiranë, të vijojë edhe më tej përmes aktiviteteve të ndryshme me po të njëjtin dedikim, pasion e dëshirë. Dua të theksoj këtu për të gjithë ata të rinj e të reja që kanë qenë pjesë e këtij rrugëtimi, se çdo fund është në të njëjtën kohë një fillim i ri.
A u bë ky titull që iu dha kryeqytetit burim frymëzimi për projekte që do të mund t’i shohim gjatë, ndoshta edhe përtej kufijve të vendit tonë?
Titulli “Tirana Kryeqyteti Evropian i Rinisë 2022” ka qenë një mundësi fantastike, me focus tek një gamë e gjerë tematikash dhe prioritetesh ku rolin kryesor dhe udhëheqës e luajnë të rinjtë, jo vetëm në nivel kombëtar por dhe në atë rajonal e Evropian. Tirana EYC 2022 ishte programi i parë në kuadër të këtij titulli i cili shtrihej në mbarë territorin shqiptar, ndaj i lamë vend e inkurajuam që projektet dhe aktivitetet diverse të shtrihen edhe përtej trojeve shqiptare për të treguar se të rinjtë e vendit tonë, ecin në të njëjtat hapa e me te njëjtën shpejtësi si bashkëmoshatarët e tyre jashtë vendit. Shumë bashkëpunime dhe rrjetëzime janë formuar tashmë, të cilat sigurisht do të mund t’i shohim gjatë pasi prekin disa nga temat më aktuale dhe relevante për të rinjtë anembanë Evropës.
Teksa keni parë dhe prekur nga afër punën e secilit projekt që është paraqitur dhe bërë pjesë, a ka qenë ndonjë prej tyre që iu ka lënë pa fjalë, duke pasur parasysh që puna juaj shumëvjeçare me projektet ua ka bërë syrin shumë më kritik?
Është e vështirë të ndaj nismat me të cilat kam punuar vazhdimisht dhe arritjet e të cilave i kam ndjekur nga afër. Çdo aktivitet dhe projekt ka sjellë një risi, ka fuqizuar të rinjtë dhe i ka motivuar ata të ndjekin pasionet e tyre në çfarëdo fushe qofshin ato. Mund të them se cdo projekt ka gjeneruar ide dhe bashkëpunime të reja, impakti i të cilave është i pamatshëm, ndaj për mua çdo projekt ka qenë si copëz e një “puzzle’’ dhe e ka bërë rrugëtimin e programit Tirana EYC 2022 edhe më të veçantë.
Nëse do ta rikthenit kohën dhe do të ishit ju në vend të këtyre të rinjve, me këto mundësi që janë tani, çfarë mendoni se do të bënit ndryshe?
Sigurisht që mundësitë të cilat u ofrohen të rinjve sot nuk kanë të krahasuar me ato ndaj të cilave kishim akses disa vite më parë. Ka një progres të madh teknologjik dhe ekonomik i cili ndikon drejtpërdrejtë në mundësitë që të rinjtë kanë për aktivizim dhe pjesëmarrje në shoqëri.
Ndaj unë jam shumë e lumtur të shoh sesi të rinjtë përfituan prej këtij programi, bazuar në tetë shtyllat kryesore të programit, duke nxitur risi të reja në kulturë, sporte, digjitalizim, art, inovacion dhe sipërmarrje. Ata jo vetëm u dedikuan të sjellin në jetë projekte shumë të bukura por krijuan së bashku dhe një sinergji për të avancuar ato drejt implementimit në të mirë në komunitetet ku jetojnë.
Nëse vitin 2022 do ta përkufizonit me 5 fjalë, duke bashkuar angazhimin, aktivitetet, përgjegjësinë, emocionet dhe gjithçka tjetër, cilat do të ishin ato?
Do të thoja: Energji, Risi, Besim, Shpresë, dhe Dedikim.
Nisur nga pozicioni juaj, por edhe duke parë angazhimet tuaja të mëparshme, duket sikur karriera zë të gjithë kohën tuaj, duke mos lënë kohë për gjëra të tjera, si përshembull pasionet. Cilat janë pasionet tuaja, si e kaloni kohën tuaj të lirë?
Unë mundohem të jem gjithmonë pranë të rinjve. Edhe në përditshmërinë time kaloj shumë kohe duke ndjekur, kuptuar dhe rimenduar qasjet e të rinjve drejt zhvillimeve të ndryshme në vendin tonë. Ata janë jo vetëm e ardhmja por edhe e tashmja e vendit tonë ndaj për të ecur në një hap me ta duhet shumë mirëkuptim, bashkëpunim dhe investim drejt vlerave dhe interesave të përbashkëta. Si nënë e një vajze të vogël, e ndjej veten edhe më pranë brezave të rinj të cilët vetëm duke u fuqizuar dhe motivuar me hapësirat dhe kushtet e duhura do të garantojnë një të ardhme më të mirë për çdo brez që pason.
Dhe më duhet të them se ritmi dhe hapat të cilët ndjekin të rinjtë janë të shpejta dhe shumë energjike ndaj mbetet pak kohe për pushim, megjithatë puna me ta kthehet në një pasion të çmuar.
A janë të mjaftueshme 24 orë për të bërë gjithçka që ne dëshirojmë, sepse duket sikur ndonjëherë kjo ndahet në disa kampe, që përfshin skeptikët, ata që justifikohen gjithë kohës dhe ata që nuk kanë kohë kurrë për të gjitha gjërat që duhet të bëjnë?
Historia ka dëshmuar se e ardhmja u përket atyre që besojnë në bukurinë e ëndrrave të tyre, dhe çdo ëndërr vjen pa limite e kufizime kohore, por kërkon shumë punë drejt arritjes së një qëllimi, pa humbur shpresën dhe përkushtimin. Çdo gjë është e mundur dhe e arritshme nëse vërtet punon dhe beson për synimet dhe qëllimet e tua. Por për këtë më duhet të shtoj se sigurisht duhet një ekip i fortë dhe mbështetje e mirë, pasi së bashku gjithmonë mund të bëjmë më shumë.
Meqë jemi pikërisht këtu, si organizohet një ditë e Aspasjanës?
Ditën time e ndaj kryesisht në dy pjesë, duke i përkushtuar kohën dhe rëndësinë e duhur punës dhe familjes, duke u munduar të balancoj në mënyrë të shëndetshme çdo rol timin që gëzoj si profesioniste, nënë, partnere dhe familjare.
Në varësi të dinamikave dhe prioriteteve të punës jam gjithmonë krah ekipit tim duke u munduar të realizojmë me sukses do detyrë dhe nisëm që kemi marrë përsipër e mbi të cilën gëzojmë besimin dhe shpresën e çdo të riu.
Çfarë presim nga viti 2023?
Energji unike dhe idetë frymëzuese të të rinjve do të vazhdojnë të na udhëheqin edhe përgjatë 2023 dhe më tej, për një tjetër vit të mbushur me dinamika, aktivitete, sinergji dhe bashkëpunime të reja të cilat do të gjenerojnë investime konkrete dhe afatgjata.