Stilistja e famshme Dame Mary Quant, e njohur më së shumti si “nëna e minifundit” ka ndërruar jetë në moshën 93-vjeçare. Lajmin e trishtë e ka bërë të ditur familja e saj, duke njoftuar se ndërroi jetë paqësisht në shtëpi në Surrey këtë mëngjes.
Familja e saj tha se ajo ishte “një nga stilistet më të njohura ndërkombëtarisht të modës të shekullit të 20-të dhe një “novatore e shquar”.
“Ajo hapi dyqanin e saj të parë Bazaar në Kings Road në 1955 dhe talentet e saj largpamëse krijuan shpejt një kontribut unik në modën britanike.”
Dame Mary ishte një nga figurat më me ndikim në fushën e modës të viteve 1960 dhe vlerësohet se e bëri modën të aksesueshme për masat me modelet e saj të hijshme, të efektshme dhe të gjalla.
E lindur në Londrën juglindore më 11 shkurt 1930, Dame Mary ishte vajza e dy mësuesve të shkollës Uellsiane. Ajo fitoi një diplomë në vitet 1950 në kolegjin Goldsmiths, ku u takua me bashkëshortin e saj Alexander Plunket Greene, i cili më vonë ndihmoi në krijimin e markës së saj.