“Renee, rilindja e jetëve tona”
Nga Eraldo Rexho
Thonë se, kur dashuria bëhet shumë e madhe për t’u mbajtur në dy zemra, atëherë vjen në jetë një fëmijë. Kjo ka ndodhur me çiftin e bukur nga Prishtina, Nora dhe Robert Berisha. Megjithëse ata e quanin njëri-tjetrin ‘familje’ prej vitesh, duke jetuar bashkë e duke ndarë gjithçka midis tyre, Renee ndryshoi gjithçka. Ajo shtoi lumturinë e të dyve. Renee u bë e famshme që pa lindur, sepse lajmi për ardhjen e saj u dha në skenën e një spektakli të madh, direkt nga televizioni. Ndaj dhe tanimë, çdo gjë që e rrethon të voglën bëhet lajm i madh…
Takohemi thuajse pas një viti, nga koha kur “WHO” kishte ekskluzive intervistën me ju si çift i sapomartuar. Sot pas 10 muajsh, ju jeni bërë prindër. Cilat janë ndjesitë që ju shoqërojnë në këtë status të ri jetësor?
NORA: Kaluan 10 muaj nga dasma jonë dhe Zoti na shpërbleu me një vajzë, duke na gëzuar shumë të dyve. Janë të pashpjegueshme ndjesitë e këtij momenti, që është më i rëndësishmi në jetën tonë.
Vajzën e quajtët Renee. Cila është domethënia e këtij emri?
NORA: Emri vjen nga Franca dhe do të thotë rilindje… Një rivitalizim për jetën time dhe të Robertit.
Pse zgjodhët një emër francez dhe jo shqiptar?
NORA: Duke qenë se ne të dy kemi emra të huaj, vendosëm kështu edhe për vajzën. Pati shumë emra shqiptarë që na pëlqenin, por janë tepër të konsumuar.
Kush ia vendosi emrin të voglës?
NORA: Ishte një zgjedhje e imja. Ne kemi nga një “r” në emrat dhe mbiemrat tanë, ndaj duke e pasur shumë të dashur germën “r” zgjodhëm një emër të tillë për vajzën.
Nga fotoja e parë që keni postuar me të (e cila ka marrë mijëra pëlqime), Renee është kthyer në një prej foshnjave më të famshme të showbiz-it. Do ta mbani vajzën larg mediave apo do të publikoni foto të tjera me të?
ROBERTI: Nuk e kishim në plan që të postonim foto të vajzës, por me lindjen e saj, nisën të qarkullonin në rrjetet sociale foto me mbishkrimin: Kjo është Renee… Në këto kushte, Nora vendosi ta ndante me të gjithë ndjekësit e saj foton e parë të vajzës sonë. Dhe këto do të jenë fotot e vetme për momentin, derisa ajo të rritet pak. Nora e përdor “Instagram”-in si një urë komunikimi me fansat, në ndryshim nga unë, që nuk zotëroj asnjë profil në rrjetet sociale. Kështu që, nëse ke ndonjë Robert Berisha ‘mik’, lirisht mund ta bësh ‘block’.
Si e pritën gjyshërit ardhjen e saj?
NORA: Gjyshërit, këto ditë më shumë se kurrë janë dakord me atë shprehjen që thotë se: “Fëmija i fëmijës është mjalti i mjaltit”. Ata janë një ndihmesë shumë e madhe për ne, duke na krijuar mundësinë për të mbyllur edhe ndonjë punë të vogël. E gjithë familja ka fluturuar nga gëzimi me të marrë lajmin e lindjes së vajzës.
Si e keni arreduar dhomën e vogëlushes, apo ajo po qëndron në një dhomë me ju?
NORA: Sigurisht që Renee ka dhomën e saj, të arreduar si një shtëpi kukullash. Aty rri gjatë ditës, kurse gjumin në darkë e bën krah mamit dhe babit.
Është e vërtetë që me ardhjen e një fëmije jeta ndryshon plotësisht?
ROBERTI: Po, është shumë e vërtetë që ndryshon gjithçka. Më datë 15 maj, jeta filloi të ketë kuptim për mua (buzëqesh)! Nuk di ta shpjegoj çfarë na ka bërë Renee.
Nora, kur do t’i kthehesh muzikës, edhe pse ti pak përpara se të lindje publikove një projekt muzikor?
NORA: Të shohim sa kohë do të kem që të përfundoj projektet e lëna përgjysmë. Për momentin nuk mund t’ju premtoj asgjë, nuk kam një datë, sepse tani për mua në vend të parë është Renee.
Duket sikur këtë verë do ia lësh stafetën Erës, pasi kënga e saj ka ecur shumë-shumë mirë…
NORA: Era ka dy vite që punon ‘non stop’ për suksesin që po jeton aktualisht. Nuk ka kënduar askund, me qëllim që të plotësohej siç ajo donte vetë. Ndaj besoj dhe shpresoj që kjo verë do të jetë e saja.
Nora, besojmë se shumë shpejt do të rikthesh edhe format e shkëlqyera fizike, apo kjo është një çështje që nuk të shqetëson aktualisht?
NORA: Për të qenë e sinqertë, nuk shqetësohem fare për këtë, sepse unë nuk shtova shumë kilogramë gjatë shtatzënisë dhe kjo do të ma bëjë më të lehtë rikthimin në format e para pak muajve.
Do të bëjë pushime familja Istrefi/Berisha, apo Renee është shumë e vogël për të lëvizur nga shtëpia?
ROBERTI: Renee është ende shumë e vogël, por mendojmë se në shtator mund t’i bëjmë disa ditë pushim.
Është qaramane Renee?
ROBERTI: Renee është një fëmijë i shëndetshëm dhe i urtë. Shpresoj shumë që të vazhdojë kështu, sepse nuk na ka sjellë asnjë shqetësim deri tani.
Nga fotot, ndonëse ajo është shumë e vogël, duket sikur ka formën e syve të Norës. E kemi të saktë këtë konstatim?
ROBERTI: Është ende shumë herët për të folur mbi këtë, por njerëzit që na njohin thonë se është një ndërthurje mes ne të dyve.
Nora, e dëgjojmë të flasë gjithë pasion për vajzën, po sa të ndihmon Roberti në këtë përvojë të re?
NORA: Ai është po aq i përkushtuar sa unë. Është një ndihmesë shumë e madhe.
Me çfarë ninullash e vini në gjumë?
ROBERTI: Me muzikë klasike, sepse thonë që ajo nxit zhvillimin mendor, koncentrimin dhe inteligjencën te fëmijët. Dhuron qetësi, ngrohtësi dhe nga kjo është e dallueshme. Efekti i veprave të Mozartit është i jashtëzakonshëm (buzëqesh)!
Qershor 2015
Discussion about this post