Fotografia është pasqyrë e botës, e shpirtit, e natyrës, e asaj që na i mbështjell sytë çdo ditë. Kësisoj artistët që fotografinë e kanë pjesë të jetës së tyre, dine të rrëfejnë më mirë sesi qëndron ky dimension te ta, por edhe te bota. Ashtu si Eugenio Qose, fotografi shqiptar që përmes fotos dhe jo vetëm, ka shëtitur botën. Karriera e tij e prej shumë vitesh mban në supe brende të rëndësishme, figura të famshme, vajza e djem që e kanë shënjuar yllin e tyre në hapësirën e madhe të kësaj bote. Ka modesti, ka shumë frymëzim, por edhe projekte për të cilat Eugenio ka folur këtu, VETËM NË WHO.
Eugenio, një prej emrave më të njohur në botën e fotografisë, si kanë qenë këto kohë për ty?
Faleminderit për komplimentin. Kohët e fundit kam punuar me disa projekte të reja në Zvicër dhe Milano e Firence ku jetoj prej vitesh.
Emri yt është kudo, optikës tënde i shtohen figura të njohura shqiptare dhe të huaja, po ashtu brand-e të rëndësishme , por të shkojmë në fillimet e tua, si ka nisur gjithçka për ty?
Kam qenë piktor që në moshë të vogël dhe shumë i apasionuar pas arteve vizive dhe teknologjisë me kompjuter. Kur mbusha 18 vjeç erdha në Firence për të studiuar në Akademinë e Arteve në Firence, ku bëra 3 vjet, por kurrë nuk e përfundova. Paasi dola nga shkolla, fillova të përqëndrohesha te fotografia e modës sepse aty e ndjeja veten më shumë. Ndër vite kam punuar me personazhe të botës së spektaklit dhe brande të mirëfillta të modës, edhe më shumë cover stories, editorial për revista të ndryshme, italiane dhe mbarëbotërore.
E mban mend foton, ose fotografitë e para të tuat?
Foton e parë ia kam bërë ish-it tim, ka qenë një vajzë meksikane që studionte në Firence, në vitin 2009.
Si është të ngjisësh shkallët si fotograf, në këtë art që duhet thënë terrenin e ka paksa të vështirë?
Besoj se pasioni i madh, përkushtimi i përditshëm dhe disiplina të çojnë drejt suksesit.
Besoj se pasioni i madh, perkushtimi i perditshem dhe disiplina te cojne drejt suksesit.
Të kthehemi te figurat e njohura që janë fotografuar prej teje, do të na i thuash disa fjalë për disa prej tyre?
Kam fotografuar personazhe nga Shqipëria dhe nga bota. Në Los Angeles kam pasur mundësinë të punoja për revistën “GQ Italia” për futbollistin Zlatan Ibrahimoviv për “cover story”.
Kam fotografuar edhe aktoren e këngëtaren nga Loso Angeles Sofia Carson, me vajzën e Van Damme, Biankën kam bërë po ashtu një cover-story. Me personazhe shqiptare kam bërë projekte të bukura gjithashtu. Me miken time me fame botërore, Angela Martinin, me Oriola Marashin në Tiranë, me këngëtaren Elvana Gjata me të cilën bashkëpunojmë prej 10 vjetësh, jemi shumë miq.
Cilat janë më të menaxhueshme në një set forografik, vajzat shqiptare apo ato të huaja?
Me vajzat shqiptare ndjej një lidhje më të forte sesa me vajzat e huaja. Vajzat shqiptare padyshim fitojnë.
Rikthehemi para disa vitesh kur realizove një set me vajzën e Van Damme, Biankën, duke u theksuar shumë herë që ajo zgjedh gjithmonë Eugenion, si është tani marrëdhënia profesionale me të, vazhdon me po të njëjtin ritëm?
Me Biankën kemi realizuar 4 sete fotografike, 1 në New York në vitin 2018 dhe 3 në Los Angeles për revista të ndryshme. Që prej nisjes së pandemisë nuk kemi bërë më projekte, për shkak të distances. Bianka jeton në NYC tani dhe unë në Toskanë, por jemi shumë miq dhe kominikojml shpesh me mesazhe.
Të ndodh shpesh kjo situatë, që figura të njohura sapo realizojnë një set me ty, nuk të ndahen më?
Kjo ka ndodhur disa herë, kur përputhemi me njëri-tjetrin në punë, në shije artistike dhe në karakter.
Si ka evoluar puna jote ndër vite?
Fotografia digjitale është gjithmonë në evolucion. Kur kam nisur si fotograf në vitin 2008, ishte gjithçka e printuar në revista. Kurse tani përdoren shumica e fotove për rrjetet sociale, si për personazhet publike, ashtu dhe për “fashion brands”.
Ke arritur një kulm, ku thua ja kjo ka qenë ëndrra ime më e madhe dhe këtë e realizova?
Kur ke ëndrra dhe lufton për ti arritur,duhet njëfarë kohe dhe kur i arrin, nuk e kupton. Besoj jemi të gjithë duke kërkuar më shumë nga vetja, nuk ka përfundi, por ndjej një kënaqësi të veçantë për një punë që realizova për “JEEP & Go Carpisa” në Los Angeles. Gjithashtu me Zlatan Ibrahimovic, ka qenë përvojë shumë e bukur.
Duke folur për figurat e njohura njëra prej tyre është Angela Martini, prej sa kohësh vazhdon bashkëpunimi mes jush?
Angelan e kam njohur në Los Angeles në vitin 2019, kur kemi bërë një set fotografik. Menjëherë u bëmë miq sepse kemi shumë gjëra të përbashkëta, pasionin për artet e bukura, për filmat dhe editing. Na qëllon shumë shpesh që unë të bëj fotot dhe Angela monton videot e shkurtra, është një talent që pak veta e dinë.
Si është të punosh me Angelën?
Me Angelan çdo projekt fotografik që bëjmë është aventurë e bukur dhe e jetojmë si ajo shprehja italiane “La dolce vita”.
Ka një “sekret” që ju mban bashkë prej vitesh dhe duhet thënë që bashkëpunimi juaj ka vetëm foto perla?
Pasioni i përbashkët që kemi për artet e bukura dhe respekti për njëri-tjetrin. Përpara se të bëjmë një set fotografik, bëjmë shumë “moodboard research” me Angelan dhe përgatitemi ditë më parë.
Çfarë kërkon Angela, që ti tanimë e di, duke qenë se ke punuar gjatë me të?
E njohim shumë mirë njëri-tjetrin pasi kemi zhvilluar një stil artistik që Angela e ka unik të sajin. Ajo është e para që jep idenë e parë dhe pas saj dimë ekzakt se çfarë do të bëjmë për foto spektakolare.
Sa e rëndësishme është përshtatja me personazhin, a ndikon dhe në punë, apo duhet thjesht të mësohesh?
Është shumë e rëndësishme që të jesh pozitiv dhe të krijosh atmosferë harmonie. Po të jesh pozitiv në karakter, puna shkon shumë mirë.
Të ndodh që ta lësh punën në mes sepse diçka nuk shkon siç duhet?
Jo, por më ka ndodhur në raste të ralla që mos të jem i kënaqur në mes të setit fotografik, por zakonisht ndaloj gjysmë ore të studio zgjidhjen më të mirë për të bërë ndryshime në set.
Po ndonjë situatë “funny” gjatë këtyre viteve punë ke pasur? Na rrëfe ndonjërën…
Kam pasur një situatë pak ditë më parë në Zvicër, kur jemi ngjitur në një mal, unë u futa në një liqen me ujë të ftohtë me thellësi 1 metër për të realizuar një video “underwater” dhe u paralizova nga i ftohti, kërkova ndihmë nga kolegët që të më nxirrnin jashtë se nuk po lëvizja dot më. Kemi qeshur shumë kur dolëm nga uji.
Ke një personazh që synon të jetë para fokusit të aparatit tënd? Një figurë e njohur botërore?
Faktikisht më pëlqejnë surprizat që puna më sjell, nuk kam ndonjë synim konkret.
Cili është projekti i fundit për të cilin po punon?
Në këtë moment jam duke realizuar fushatën fotografike dhe filmin e nisjes së një brendi të ri mode nga Zyrihu, në Zvicër. Po xhirojmë prej thuajse se një muaji një vende të ndryshme mes Zvicrës dhe Italisë. Edhe me Angelan po bëjmë një projekt të ri, por nuk mund të flas ende.