Një studim hungarez, i botuar së fundmi në “BMC Psychology” ka marrë në shqyrtim lidhjen mes adhurimit të të famshmëve dhe performancës më të ulët në testet njohëse.
Studimi është kryer përmes një sondazhi me 1763 të rritur që përfunduan një sërë detyrash, duke përfshirë një test fjalori dhe një test logjik. Të anketuarit më pas plotësuan një pyetësor të krijuar për të përcaktuar se sa të interesuar ishin ata për VIP-at.
Pjesëmarrësve iu desh të përgjigjeshin me “po” ose “jo” për një sërë deklaratash, duke përfshirë konfirmime si: “Shpesh ndihem i detyruar të njoh zakonet personale të personazhit tim të preferuar” dhe “Jam i fiksuar pas detajeve rreth personazhit të famshëm tim të preferuar”.
Studimi zbuloi se ata që shënuan rezultate të larta interesi për VIP-at, gjithashtu performuan dobët në dy teste të aftësisë njohëse.
Megjithatë, ata pranuan se nuk mund të thonë nëse fiksimi me kulturën e të famshmëve ishte shkak apo pasojë e aftësive më të ulëta njohëse dhe hulumtimi nuk përcakton shkakun dhe efektin.
Sipas ekspertëve: “Këto gjetje janë në përputhje me gjetjet e mëparshme për sjelljet e varësisë, të cilat sugjerojnë se fiksimet e tepërta mund të dëmtojnë funksionimin njohës për shkak të rritjes së përqendrimit dhe energjisë së investuar në sjelljen që dominon jetën e personit”.