Rrëfimi i showgirl-it për mëmësinë: Gabrieli, frymëzimi im
Nga Eraldo Rexho / Fotot: Geljant Kaleci
“Flas shqip. Pse, nuk dukem që jam shqiptare?” Këto kanë qenë fjalët e para që Hueyda i ka thënë një burri të pashëm në një nga restorantet sharmante të Parisit. Atë ditë, ajo as që e mendonte që kjo bisedë e rastësishme për shqipen do të kthehej në motivin e njohjes me Mishelin, partnerin e ardhshëm, atë që tani është babai i Gabrielit, foshnjës së bukur të Hueydës. Çokollata e ekraneve shqiptare vjen në një rrëfim për familjen, dashurinë, pikturën dhe një nismë bamirësie. Piktura nga vende të ndryshme të Europës do të shiten në një ankand për linjën “Alo 116”. Disa prej tyre janë realizuar nga vetë Hueyda gjatë këtyre muajve, kur Gabrieli flinte.
Çfarë ndjeve kur more vesh lajmin e bukur të shtatzënisë?
Fillimisht, edhe pse ishte një shtatzëni e dëshiruar, m’u duk sikur kishte ndodhur më shpejt seç duhej, por disa ditë më pas fillova ta përjetoja shumë bukur shtatzëninë time.
Cilat ishin ndjesitë kur e more në krahë?
Ishte një ndjesi e papërshkrueshme! Nuk më besohej që atë qenie aq të brishtë e të bukur e kisha krijuar unë.
A e pate të vështirë të ambientoheshe me statusin e ri të nënës?
Sa keq që nuk ka një shkollë ku të diplomohesh për të marrë një përgjegjësi kaq të madhe. Megjithatë, kur je para faktit, nuk ke rrugëzgjidhje tjetër përveçse të luash rolin që vetë kisha përzgjedhur, atë të mamasë, atë të përkujdesjes dhe dedikimit ndaj Gabrielit.
Ke dikë që të ndihmon, apo i bën vetë të gjitha për të?
Kam vendosur që të përkujdesem vetë për Gabrielin. Për fat të mirë, piktura më jep mundësi të punoj kur dëshiroj, kështu që kam mundësi të kujdesem për të siç dëshiroj.
Ke filluar të kuptosh se çfarë i pëlqen dhe çfarë jo Gabrielit?
Gabrielit i pëlqejnë vajzat e bukura, se sa takon mikeshat e mia, u dhuron buzëqeshje.
Pse ky emër?
Sepse është një emër që shqiptohet në çdo gjuhë, që u përket tri feve kryesore dhe sepse na pëlqente të dyve.
Kujt i ngjan ai?
Është një miks i të dyve.
Sa herë zgjohesh natën për t’u kujdesur për të? Ke bërë një grafik me Mishelin?
Gabrieli, që sapo mbushi dy javë filloi të fle pa u zgjuar asnjëherë, nga ora 12 e natës deri në 7 të mëngjesit. Me sa duket e kuptoi shpejt që mami i tij, po nuk fjeti natën, e ka punën keq (qesh).
Ne dimë shumë pak për historinë tuaj të dashurisë, do të na tregosh si u njohët?
Micheli dhe unë jemi njohur në një restorant. Teksa më dëgjoi të flisja shqip me një mikeshën time, më pyeti se ç’gjuhë po flisja dhe unë iu përgjigja: “Shqip. Pse, nuk dukem që jam shqiptare?”
Si është dita jote tani me Gabrielin?
Ditët e mia nuk ngjasojnë; e vetmja gjë që nuk ndryshon është që Gabrieli është kudo me mua.
A të frymëzon ai për të pikturuar?
Sigurisht që më frymëzon! Që prej momentit që kam Gabrielin në jetën time, kam realizuar disa piktura, njëra prej të cilave është shitur në Angola, si dhe kam marrë pjesë në tri ekspozita kolektive në Paris dhe Luksemburg.
I ke kushtuar ndonjë pikturë atij?
Për momentin kam krijuar vetëm piktura për të arreduar dhomën e tij.
Në Tiranë për një kauzë… Na trego diçka më shumë për këtë projekt.
Më 17 qershor organizoj me CRCA-në në bashkëpunim me UNICEF-in një ankand bamirësie për “Alo 116”, Linjën Kombëtare të Këshillimit për Fëmijë. 10 piktorë të njohur francezë, luksemburgas, shqiptarë, më kanë dhuruar pikturat e tyre për këtë ankand, ndërkohë që unë do të dhuroj 12 nga pikturat e mia, ku njëra është krijuar posaçërisht për këtë ankand nga piktorja Celine Betel dhe unë. Çdo shumë e fituar nga shitja e pikturave do të shkojë për “Alo 116”.
Qershor 2015
Discussion about this post