Një roje sigurie ka mbetur i plagosur rëndë, si pasojë e të shtënave në rezidencën e reperit kanadez Drake në Toronto. Policia tha se të shtënat ndodhën rreth orës 2 të mëngjesit.
Duke folur me gazetarët inspektori Paul Krawczyk tha se hetimi ishte në një fazë të hershme dhe informacioni ishte shumë i kufizuar.
I pyetur nëse incidenti ishte i lidhur me grindjet e vazhdueshme mes Drake dhe reperit amerikan Kendrick Lamar, Krawczyk tha se ishte në dijeni, por tha se ishte shumë herët në hetim për të caktuar një motiv dhe nuk pranoi të komentonte më tej.
Lamar e përshkallëzoi betejën e tij muzikore me Drake gjatë javës së kaluar duke publikuar tre këngë “diss” në 36 orë.
Videoja e fundit nga tre këngët, “Not Like Us”, shfaqi pamje ajrore të rezidencës së Drake në Toronto.
Sipas gazetës National Post, kënga, e cila ka mbi 23 milionë shikime në kanalin e Lamar-it në YouTube, nxiti disa fansa të shtonin një tabelë me mbishkrimin “Pronë e Kendrick” në shtëpinë e Drake në Toronto në Google Maps. Tabela që atëherë është hequr.
Përfaqësuesit e Drake dhe Lamar nuk iu përgjigjën menjëherë kërkesave për koment