“Historia nuk asht gjithmonë ajo që shkruhet e mësohet! E vërteta rrin e ndryeme ndër kasaforta arkivale me shumë çilsa sekretë”! Kjo është shprehja e At` Zef Pllumbit, që na vjen përshtat me pa thellë në terrkohën që krijuan shkruesit e historisë sonë për ne, për shqiptarët e vërtetë, e për shqiptarët më pak të vërtetë që morën kryet e vendit, duke na mësuar një histori veç me një palë heronj. Por ata, të vërtetët, ata që dhanë gjithçka për gjuhë e komb, që shkrinë pasurinë e diturinë për të ndriçuar skutat më të errëta të vendit tonë, e për të na dhënë dritën e pambaruar të vetëndërgjegjësimit, u mbyllën arkivash. U mbyllën me dashakeqësinë e mosdaljes në pah, por historishkruesit, sidomos shqiptarë, kanë harruar parimin themelor të ekzistencës se ‘vepra jeton më gjatë se sa e thëna’! E, ky është padyshim rasti Dervish bej Biçakut ose Biçakçiu, pinjoll i një dere të madhe, të fortë e të pasur, që e tejkaloi pragun, tejkaloi mendësinë, mbase si pak kush aso kohe e këso kohe!
Gjenealogjia e familjes tregon se Bicakcinjtë kanë patur lidhje të ngushta farefisnore dhe miqësore me mbretin Zog. Jusuf Bej Bicakciu (1854-1919) u martua me vajzën e Xhelal Zogut të I-rë,Hedijen, hallën e Ahmet Zogut të I-rë. Nga martesa e tyre lindën tetë fëmijë , pese vajza dhe tre djem. Nga gjithë ky brez njerëzish të përgatitur e me tituj të lartë vjen edhe Dervish bej II Biçakçiu (1874 – 1952).
Dervish Bej Biçaku(Biçakçiu)lindi më 1874 në oxhakun e Bicakcinjve, Elbasan i cili shquhet si patriot dhe veprimtar i Rilindjes Kombëtare. Jetoi për një kohë të gjatë ne Turqi ku dhe mori formimin e tij akademik dhe mbante leterkembim te vazhdueshem me Faik Konicen.
Familja Biçakçiu apo njohur ndryshe edhe Biçaku, është një familje fisnike e Shqipërisë së mesme,Elbasan, që daton që prej fillim-shekullit të XIV. Prej saj kanë dalë kryesisht ushtarakë të gradave të ndryshme, atdhetarë e politikanë të mëdhej, arkitektë (ketu vlen te permendet Sedefqar Mehmet agë Biçakçiu, 1570-1622, kryearkitekt i Perandorisë dhe kryeveprës botërore, Xhamisë Blu, në Stamboll)te cilet kanë dhënë kontribute të jashtzakonshme në Luftën për Pavarësi dhe krijimin e Shtetit Shqiptar, që nga Lidhja Shqiptare e Prizrenit Mahmut Pashë III Biçakçiu, Rilindas, Perfaqësues i Elbasanit), tek mbështetja ndaj Ismail Qemalit dhe qeverisë së Vlores në 1912 dhe konsolidimi i Shtetit Shqiptar në kongresin e Lushnjes(Aqif Pashë Elbasani Bicakciu, Kryetar i Kongresit). Gjithashtu kanë financuar Shkollën e Parë Shqipe në Korçë dhe Normalen e Elbasanit.
Me 8 Shtator te 1943 kur presidenti amerikan Ajzenhauer pati shpallur armëpushim ndërmjet Italisë dhe forcave aleate, Gjermania ndërmori nismën institucionale për të njohur shtetin shqiptar. Ky fakt do të nxirrte ne pah kombin shqiptar përballë të pariturave të reja, duke vënë në provë sa mencurinë politike aq edhe trimërinë e tij për t’u orientuar ne kahjen e cështjes kombëtare. Dhe nje grup burrash morën pergjegjesine mbi supe për zgjidhje të problemit nacional duke formuar Komitetin Ekzekutiv me qëllimin kryesor “Ruajtja e kufijve te Shqiperise Etnike”, me Dervish Bicakun, Ibrahim Bicakun, Bedri Pojani, Lef Nosi etj.
Dervish Bicaku,një figurë komplekse, krejt pak i prekur nga studiues e hulumtues, ose edhe ata që e kanë njohur dhe pranuar, duket se jo pa qëllim e kanë aneksuar. Për ta Dervish Biçaku ishte një pasanik që investoi për Normalen e Elbasanit qe te perhapej shkollimi dhe edukimi. Historianët thonë se ai ka investuar edhe për lëvizjet e ndryshme kombëtare të asaj kohe, por vetëm kaq! Po, a ishte vetëm një investitor Dervish Biçaku? Jo, ai ishte një ‘gur i rëndë’ që u vetëvendos në themel të lëvizjeve të shumta kombëtare për pavarësi dhe për futjen e gjuhës shqipe në shkolla. Me një rol të pazakontë, ai sherbeu si urë lidhëse mes një plejade të jashtëzakonshme intelektualësh, të cilët nga Shqipëria dhe mërgata kërkonin të realizonin zgjimin e madh kombëtar. Dervish Biçaku, i shkolluar në Turqi, njohës i mirë i osmanishtes dhe i frengjishtes, një djalë i një familjeje të pasur që duket se u vendos në Elbasan vetëm për të mbajtur pasurinë e familjes së tij. Në fakt, nëse shihet qartë, në ato pak materiale që gjenden për figurën e tij, demonstrohet diçka krejt tjetër: Ai u kthye në Shqipëri, u vendos në krye të punëve të familjes së tij duke menduar, investuar dhe ideuar lëvizje të mëdha kundër pushtuesve të kohës, që nuk ishte vetëm një, ai shekullori.
Investimi pasuror i Dervish Biçakut
Aktiviteti i tij kombëtar është i ngjeshur, rrok rreth gjysmë shekulli përpjekje të vazhdueshme kundër shumë okupatorëve. Ai nuk reshti kurrë së rreshtuari në anën e duhur, të asaj që ishte në shërbim të kombit e të gjuhës shqipe, e këtë e dëshmojnë sipërmarrjet e tij individuale në themel të një sërë punësh që shenjuen edhe fillimet e përpjekjeve për arsim e mëvetësim. Fundshekulli XIX e fillim shekulli XX e gjetën Dervishin jo vetëm në kulmin e moshës por edhe në kulmin e formimit dhe të ndërgjegjësimit të tij intelektual. Rrethanat kohore dhe familjare e kthejnë në një kryefamiljar-zot shtëpie, derëhapur, kurorë që i shërbeu për të krijuar së pari idenë e një burri të virtytshëm. Së dyti, fuqia e derës hapur, u përkhye si mundësi për të vënë veto për një sërë angazhimesh qytetare që më vonë u kthyen edhe në lëvizje kombëtare. Është interesant fakti i pranuar nga historianët që Dervish Beu ishte një investitor i madh dhe i fuqishëm. Por për çfarë investoi Dervish Biçaku dhe pse njihet si ndër të paktët e asaj kohe si investitor? A ishte Dervishi njeriu më pasur i kohës, sigurisht që jo. Madje, në historinë e familjes së tyre, ne hasim një tjetër figurë me peshë specifike në të njëjtën kohë me Dervishin. Madje historia jonë e ka të cekur jo pak herë kushëririn e parë të Dervishit, që kishte thuajse të njëjtën pasuri me Dervishin pasi ishin të ndarë nga një ‘oxhak’, por askush nuk thotë se Aqif Biçaku ishte investitor.
Ndërsa Dervishi investoi pasurinë e tij që lëvizja kombëtare të mos shuhej deri në qëllimin e madh të shpalljes së Pavarësisë, që gjuha shqipe të ishte gjuha ku të mësonin fëmijët shqiptarë, që mendimtarët shqiptarë që gjendeshin në mërgim të shkruanin të vërtetat e pushtimit dhe sundimit që i bëheshin popullit shqipar, që të botoheshin gazeta në mërgim në gjuhë shqipe, vetëm e vetëm që gjuha të mos mbetej nën terrin e perandorisë osmane, nën kapjen e kishës greke në jug, e kërcënimit brutal serb e malazez në veri. Gjurmët e investimit të Dervish Beut, mbase përbëjnë një prej elementëve më konkret për të ndihmuar në shumëplane lëvizjen kombëtare; pra ai doli nga ‘kufijtë’ e Elbasanit, u shtri në një sërë misionesh e individësh që kishin nevoja imediate për mbështetje financiare. Nuk u kursye dhe e gjitha ishte në emër të patriotizmit të pashoq që mbart figura e tij, figurë që u la në hije nga studiuesit e asaj kohe. Përse-ja e anashkalimit të një patrioti si Dervishi mbase mësohen më vonë, por e vërteta e punës së tij kolosale në të mirë të kombit nuk mund të fshihet për sa kohë ai la gjurmë në shumë ngjarje që kanë datë dhe emërtim!
Kontributi në shpalljen e Pavarësisë
Ajo që dihet zyrtarisht lidhet me një pozicion të Dervish Biçakut në formacionin e parë qeverisës të Ismail Qemalit. Historia e njeh si të zgjedhurin për mbikëqyerjen e financave të vendit nën qeverisjen e dalë nga shpallja e pavarësisë. Dihet që shumë shpejt Dervish Beu prish marrëdheniet me Ismail Qemalin dhe rreshtohet në krah të lëvizjes që do të sillte në krye të vendit Ahmet Zogun, kushëririn e parë të tij, pasi dihet që nëna e Dervisht ishte halla e Ahmet Zogut. Flitet pak për të derisa arriti të largohej njëherë e përgjithmonë nga Shqipëria, në ’44-n, kohë kur në vend nisi të instalohej regjimi komunist. Dervishi u vendos në Siri, atje ku edhe ndërroi jetë. Por cili është kontributi real i këtij patrioti të madh në aktin e shpalljes së Pavarësisë, rol që është minimizuar nga shkruesit e historisë?
Është interesant një punim shkencor mbi figurën e Dervish Bej Biçakçiut, punuar nga Juliana Hasekiu, që rrok thuajse të gjitha dimensionet që shenjuen formimin dhe aktivitetin e tij, që nga prejardhja, familja, shkollimi e deri te rolet e jashtëzakonshme që ky njeri ka patur në lëvizjet e shumta kombëtare të kohës para, gjatë dhe pas shpalljes së Pavarësisë. Ne do t`i referohemi këtij punimi për të parë më nga afër praninë e Dervish bej Biçakut në krijimin e situatës së shpalljes së mëvetësisë, ngutja e shtyrja e vazhdueshme që mbanin emrin e tij, dera e hapur e sarajeve të tij për të pritur e bashkuar ideatorët, ani pse u tha se disa prej tyre mbeten edhe në rrugë, pa mundur të kapnin në kohë shënjimin e firmës në aktin e shpalljes së Pavarëisë me 28 Nëntor 1912…
Te ky punim parashtrohet gjithë situata e kryengritjes antiosmane e vitit 1912 që përfundoi me nëshkrimin e marrëveshjes ku Porta e Lartë zotohej se do të realizonte kërkesat e shqiptarëve të njohur si “14 pikat e Hasan Prishtinës”.
“Pavarësisht premtimeve- thuhet në punim- nënshkrimi i kësaj marrëveshjeje nuk do të ndikonte në qetësimin e situatës në trevat shqiptare gjithashtu edhe në rajonin e Ballkanit. Shtetet e pavarura ballkanike që ishin kundër autonomisë së Shqipërisë, po i bënin presion dhe po kërcënonin hapur Portën e Lartë. Më 7 tetor 1912 nëpërmjet një note proteste austo-ruse i bëhej e qartë Portës së Lartë të ruante paqen dhe mbi të gjitha të respektonte status quo- në.
Ndërkaq më 12 tetor Mali i Zi në aleancë me Serbinë, Bullgarinë dhe Greqinë i shpallën luftë Portës së Lartë, duke sulmuar garnizonet turke nga të gjitha anët. Shumë shpejt ushtritë e shteteve ballkanike avancuan në territoret që ishin pjesë e Perandorisë Osmane duke kërkuar ndarjen e tyre. Kështu Serbia kërkonte të realizonte ëndrrën e vjetër të Stara Serbia, duke kërkuar territoret në Shqipërinë e Veriut dhe mbi të gjitha të siguronte dalje në detin Adriatik. Ajo pretendonte të ndante territoret shqiptare sipas një marrëveshjeje me Greqinë dhe Malin e Zi, më 13 mars 1912 të parashikuar në shtojcën sekrete të Traktatit Serbo-Bullgar. Ndërkohë në parim, fqinji jugor, Greqia, ishte për një Shqipëri autonome në kufij shumë të ngushtë në sanxhakun e Elbasanit dhe Beratit”.
Nën këto situata të tmerrshme ku luhej fati i shqiptarve, kur Serbia pushton Kosovën e hyn në një pjesë të veriut, në anën tjetër Mali i Zi, kur Greqia merr Prevezën dhe Igumenicën e vjen deri në Sarandë, lipsej një bashkim pa ndasi feje e krahine. Elbasani merr ‘flamurin’ e këtij bashkimi, ku një rol të fuqishëm luan konkretisht kushëriri i parë i Dervishit, Aqif Pasha. Ismail Qemali merr mbështetjen e Vjenës e niset drejt Shqipërisë bashkë me një grup burrash atdhetarë dhe idetatorë të mëvetësisë. Nga Vjena vijnë në Trieste për të mbërritur më pas në Durrës. Nga aty duhej siguruar rruga për në Vlorë, e nëk ëtë rrugëtim duhej mbështetje jo vetëm me njerëz por edhe me vendstrehime.
Në punimin shkencor të Hasekiut fiksohet një moment mjaft i rëndësishëm: “Më 21 nëntor Ismail Qemali mbërrin në Durrës dhe më 22 nëntor telegrafon patriotët në Elbasan, konkretisht Aqif Pashën dhe Shefqet Vërlacin ku iu shpjegon për një mbledhje: “ku do merrej një vendim i premë”. Po ndërkohë që Elbasani dhe Peqini e ngritën flamurin një ditë para se sa të shpellej Pavarësia (Referuar versionit të historiografisë zyrtare para viteve ’90, thuhet që Elbasani ishte qyteti i parë që shpalli pavarësinë.). Siç dihet, Dervishi ka dhënë një kontribut të rëndësishëm në ngjarjet e pavarësisë në Peqin, Elbasan dhe në Vlorë gjatë nëntorit të vitit 1912. Emri i Dervish Beut ishte i listuar krah intelektualëve të tjerë për të qenë pjesë e Kuvendit të Vlorës. Por duke qenë se Dervishi ishte vendosur në sarajet e tij në Çermë të Lushnjës, ku kujdesej për sigurinë dhe mbarëvajtjen e të gjithë burrave të thirrur në Kuvendin e Vlorës, dyshohet se ai vendosi të priste ardhjen e Isa Boletinit dhe të rrugëtonte me të drejt Vlorës, çka ende nuk dihet nëse ata nuk arritën në kohë apo u vendos shpallja dhe nënshkrimi i aktit pa ta. Dervish Biçakçiu qëndroi stoik në të gjithë procesin e shpalljes dhe më pas edhe në kuvendin pasardhës të Vlorës ku u vendos edhe për krijimin e një qeverie më në krye Ismail Qemalin. Në kuvendin e mëpasshëm kur ndahen postet qeveritare, Dervishi zgjidhet për të mbajtur Financat e shtetit te ri, çka do të thotë se formimi i tij ishte formimi i një shtetari të njëmendshëm dhe një intelektuali patriot që lipsej të ishte në punët drejtuese të qeverisë së parë të shtetit shqiptar. Pra Dervish Beu në një farë forme, ishte i domosdoshëm jo vetëm për shkak të pasurisë së tij, por edhe për shkak të formimit intelektual dhe rolit të tij të vazhdueshëm atdhetar.
Hijet tona historike
Tentativa për të gjetur gjurmë nga veprimtaria e shquar patriotike e Dervish Biçakçiut të zhyt në një terr të madh informativ. Duket se me dashje janë fshirë këto gjurmë, e kjo parë në një kënd, lipset një analizë e hollësishme, që mbase mund të shërbente se ekuivalente edhe për figura të njëmendta historike me të njëjtin fat-trajtues si e Dervishit. Duke parë jetën e tij, që nga momenti kur nisi të hedh hapat e para në emër të vetëdijësimit kombëtar e deri te momenti i largimit nga Shqipëria, të krijohet ideja se kemi të bëjmë një figurë historike të qenësishme. Por hollë hollë, kuptohet edhe shkaku se përse emri dhe aktet e tij të pazakonta për kohën u lanë në hije, e këtë më mirë se asgjë tjetër e dëshmon largimi nga Shqipëria në momentin kur po hidhte rrënjët sistemi më gjakatar i Europës. Pra, parë në këtë kënd, lihet qartë të kuptohet se Dervish Beu nuk ishte vetëm një burrë i pasur, por edhe një njeri i zgjuar, që parashihte kohë dhe fate. Ai duket se ndjeu se Shqipëria po binte në një rrezik shumë herë më kërcënues se sa ai për të cilin luftoi e investoi një jetë të tërë.
Duke qenë nip i Zogollëve, mik i Toptanëve, lidhje e Frashërllinjve, dalëzotas për krahinën e vet Elbasan-Peqin, njëherësh mik idealesh me një prej shqiptarëve më të njohur të kohës, Faik Konica, Dervish Beu do të kishte shumë kundërshtarë aso kohe, çka dukshëm ndikuan në minimizimin e kontributit të tij jo vetëm si një prej luftëtarëve më të ndritshëm të periudhës së Pavarësisë po edhe më herët, teksa dha gjithçka që gjuha shqipe të ishte gjuha ku të mësonin fëmijët shqiptarë. Me emrin Dervish, i shkolluar në Turqi, i rritur nën sundimin e perandorisë Osmane, Dervish Beu, është dhe duhet studiuar për të gjithë qasjen e tij kah katolicizmi, mbase një rast i rrallë për kohën. Vetëm një mendje e hapur dhe e shëndoshë, një patriot i shquar mund të shmangej nga tradita fetare e zakonore për të shkuar kah i duhej të shkonte Shqipëria e tij, kombi i tij. E në këtë prizëm, pak kush e ka parë, në mos hiç, aktivitetin e ngjeshur të tij.
E ndryshe nuk mund të shkruante për kontributin e tij një mendje gjeniale si ajo e Ernest Koliqit: “Emni i Dervish beut lidhet ngushtësisht me atë lulëzim ndjenjash pranverore dhe me shpresat guximtare që zgjoi ndër të gjithë shqiptarët themelimi i Normales së Elbasanit, por jo vetëm si punëtor, ndër ma të parët e lirisë do të kujtojmë këtë fisnik të shquar, por edhe si prind të një dëshmori të lirisë”! Kjo fjalë u tha ditën që Dervish Biçakçiu ndërroi jetë, në vitin 1952, por nuk u tha në Shqipëri, se nuk mund të thuhej; u tha në Romë, në një kuvend, ku mblidheshin burrat e mençëm shqiptarë, që ikën nga terrori që u mori jetën shumë të ngjashmëve!
Dervish beu, mbi të gjitha, është një shembull i mirë që duhet transmetuar nëpër breza, se si duhet të mbrohet kombi dhe atdheu; duke dhënë edhe jetën, jo vetëm pasurinë! E kjo bëhet nga shkrues historie pa mentësi të diktueme politike, që shpesh kanë qëndrue në anën e kundërt të atdheut dhe kombit tonë! Deri në këtë ndërgjegjësim, ne do të rrekemi të kuptojmë se cila është e vërteta historike për të cilën një popull ka nevojë ta ketë të gatshme dhe, minimumi, pa dritëhijet që mbart historia e shkuesve tanë! /GWM