Legjenda e muzikës Elton John ka folur hapur për shëndetin e tij dhe ndikimin që ka pasur në karrierën dhe jetën personale.
Në një intervistë të fundit, ai zbuloi se ka humbur shikimin dhe përballet me sfida të tjera shëndetësore, ndërsa përgatitet për dokumentarin e tij të ri Elton John: Never Too Late.
Elton John, 77 vjeç, zbuloi se një infeksion në Francë këtë verë e la të verbër në syrin e djathtë, ndërsa shikimi në syrin e majtë është fare i dobët. Në një intervistë për Good Morning America, ai tha:
“U bënë katër muaj që nuk mund të shoh. Kam shpresë që mund përmirësohet, por për momentin jam i bllokuar. Nuk mund të lexoj tekste dhe kjo e bën të vështirë punën në studio.”
Në dokumentarin e tij, Elton reflekton mbi moshën, shëndetin dhe trashëgiminë e tij muzikore, duke pranuar:
“Kjo është pjesa e fundit e jetës sime. Nuk e di sa kohë më ka mbetur. Mendon më shumë për jetën dhe vdekjen kur arrin moshën time.”
Ai gjithashtu bëri humor mbi procedurat e shumta kirurgjikale që ka kaluar:
“Nuk kam më bajamet, adenoidet, apandesitin, prostatën, as gjurin e majtë apo të djathtë, madje as ijet e mia. Më ka mbetur vetëm një ijë e majtë, por jam ende këtu falë jush.”
Pavarësisht sfidave, Elton John mbetet një ikonë e gjallë e muzikës dhe një shembull për fansat e tij në mbarë botën.