Naim Bunjaku, i njohur si Xuxi, ka ndarë historinë e jetës së tij në Big Brother VIP Kosova 3.
Xuxi ka rrëfyer për përballjet e tij me varësinë ndaj drogës, sfidat si prind madje dhe ribashkimin emocional me vajzën e tij pas 29 vitesh. Ai tregoi për një fëmijëri të lumtur dhe një fillim të mirë në jetë, por gjithçka ndryshoi me shërbimin ushtarak dhe emigrimin në Gjermani, ku përjetoi vite të vështira dhe të vetmuara larg familjes.
Gjatë qëndrimit në Gjermani, ai u martua dhe mirëpriti vajzën e tij të parë, por rrethanat jetësore e detyruan të largohej, duke mos pasur mundësi të kthehej për një dekadë. Pas një periudhe të gjatë, ai më në fund arriti ta takonte vajzën, duke përjetuar emocione të papërshkrueshme.
Xuxi shpjegon: “Kur e kam kontaktuar në Instagram për herë të parë i kam shkruajtur që jam babai biologjik Naimi, pas pak më erdhi mesazhi që është gëzuar shumë. Kur kam dalë nuk e kam ditur se si të reagoj e kam pyetur nëse mund të përqafoj. Ka qenë një nga momentet më të bukura të jetës time sepse kam pasur shumë mall.”
Këngëtari foli gjithashtu për vajzën e tij të dytë, e cila përjetoi sfida të rënda shëndetësore që nga fëmijëria, duke përfshirë humbjen e dëgjimit. Ai tha: “Ka qenë momenti më i vështirë në jetë. Më ra qielli mbi kokë. Gjithë jetën ka qenë luftëtare. Me shumë punë sakrificë, për mua nuk ka pasur rëndësi pasuria vetëm që Sumeja të jetë e barabartë.”
Në rrëfimin e tij, Xuxi zbuloi gjithashtu se kishte qenë i varur nga droga për vite me radhë, derisa vendosi të rehabilitohej. “Unë kam pasur problemet e mia me drogë dhe kam qenë i varur për disa vite, deri në 2000 kur babai im i ndjerë unë kam shkuar në Turqi në rehabilitim. Jam njeri i rilindur,” shprehet ai.
Pjesëmarrja e tij në Big Brother VIP është një përpjekje për t’i ofruar familjes së tij një mundësi më të mirë, duke vënë gjithmonë përpara rëndësinë e dashurisë dhe unitetit familjar. “Prindi bën për fëmijët gjithçka në jetë,” thekson Xuxi.
Ndërkohë një tjetër pjesë e dhimbshme e rrëfimit të tij ishte dhe një aksident me makinë me pasojë vdekjen e një të moshuari në Prishtinë në vitin 2001.
Xuxi thekson se nuk e ka parë fare dhe se i kishte dalë anash, gjë që ia bëri të pamundur ta shihte
“Më ka hyrë në retrovizor, pasqyra anash. Nuk e kam shkelur kështu përpara, po plaku ka dalë në terr, në 2001, ka dalë prej stacionit të autobusave që shkon nga Veterniku. Ai ka dalë, ka shikuar në anë të majt, nuk ka dëgjuar, e ka parë që nuk ka asgjë dhe më ka hy në makinë”, u shpreh ai.
Xuxi rrëfen me keqardhje se nuk ka asgjë më të keqe edhe pse ai pranon se nuk ka patur faj në aksidentin e ndodhur:
“Kam dalë, kur e kam parë. Pas 20 minutëve ka ardhur policia, unë e kam shkelur. Më kanë thënë, çu idiot prej këtu. Më kanë futur në makinë të tyre. Më ka ardhur pas 30 minutëve ambulanca, djali i plakut ka qenë duke vozitur. Nuk ka më keq. E kam pasur edhe një aksident tjetër që jam akoma në gjykatë. Nuk kam qenë në ndonjë shpejtësi të madhe”.