E ftuar në emisionin “Mirëmbrëma yje” nga Arbana Osmani, këngëtarja e njohur Tayna ka ndarë mendimet e saj mbi rëndësinë e rifreskimit të rrethit profesional dhe përjetimet që shoqëruan largimin e saj nga menaxhimi i mëparshëm.
E pyetur se çfarë ndodhi realisht mes tyre Tayna u përgjigj:
“Varet prej kontratave që bën, zakonisht kur artistët janë shumë të rinj, kanë qejf, e duan muzikën, e duan suksesin, kanë qejf që njerëzit t’i vlerësojnë talentin që kanë dhe kjo është e mjaftueshme për ta. Tani me kalimin e viteve nuk është veç ajo e mjaftueshme sepse ti piqesh, shikon gjërat, mësohesh edhe vetë. Mendoj që dhe lulen kur rritet duhet t’ia ndërrosh saksinë për t’u rritur më shumë. Kjo ka ndodhur me ne të dy.”
Ajo theksoi gjithashtu se në një moment të caktuar, është e domosdoshme të bëhen ndryshime për të mos mbetur i konsumuar:
“Mendoj thjesht që çdo njeri, sidomos në karrierë, duhet ta ndërrojë pak rrethin sepse nuk ke më çfarë të japësh dhe konsumohesh dhe mendoj që ka gjithmonë nevojë për diçka të re, të freskët. Me menaxhimin dhe menaxherin kemi kryer një kontratë, kemi pasur një marrëveshje. Ai tani vazhdon rrugën e vetë, unë rrugën time.”
Megjithëse ndarja ishte e pritshme, këngëtarja nuk e fsheh se ajo ka ndikuar emocionalisht tek ajo. Megjithatë, këtë ndryshim e ka përjetuar si një hap të rëndësishëm që e ka çuar drejt sukseseve të reja në karrierën e saj:
“Largimi ka ardhur befas, sigurisht që jam ndjerë keq edhe pse e kam pritur. Por pastaj mu zëvendësua me një sukses shumë të madh kjo mërzi,” përmbylli ajo, duke iu referuar këngëve “Si ai” dhe “Obsesion”, të cilat kanë shënuar suksese të mëdha, përfshirë edhe në nivel ndërkombëtar.
E pyetur gjithashtu nëse kënga “Si ai” ishte një dedikim për ish-menaxherin e saj dhe nëse të dy kanë qenë në një lidhje, Tayna hodhi poshtë zërat në mënyrë kategorike duke shtuar se jetën personale nuk e ngatërron kurrë me atë profesionale. Ajo sqaroi se poezia i shkonte tekstit të këngës ndaj edhe ajo vendosi ta përfshinte atë në ripostimin e klipit të “Si ai” në Youtube.