Elton Ilirjani në Top Story në Top Channel ka përshkruar takimin emocionues mes Parashqevi Simakut dhe djalit të saj pas 15 vitesh. Ai tha se djali nuk e njihte dhe nuk e mbante mend fare imazhin e të ëmës.
“Takimi mes Parashqevisë dhe Luke është një takim i shumëpritur, është dashur 15 vite dhe nuk ishte një takim kaq i thjeshtë duke pasur parasysh që kishte disa vendime gjykate që nuk e lejonin. Ishte pak e pabesueshme në fillim, dhe kur e kam diskutuar me Parashqevinë më thoshte që është një ëndërr që mund të bëhet realitet vetëm duke u lutur te Zoti. Sot e them me plot gojën që pavarësisht atyre që kam bërë ishte vullnet i Zotit. Deri sa djali ka mbushur 18 vjeç ka pasur një vendim që ajo nuk duhej t’i afrohej djalit. Duhet theksuar që djali e kishte humbur totalisht imazhin e nënës së tij, nuk e njihte fare. Djali kur ka ardhur ka ardhur i trembur, shumë i trembur”, u shpreh ai.
Ai tha se Luke nuk e dinte fare që nëna e tij kishte qenë një artiste e madhe në Shqipëri dhe nuk kishte parë kurrë asnjë video të sajën duke kënduar. Ai tha se Luke pasi kishte dëgjuar këngën “E duam lumturinë”, e kishte rikthyer atë 6 herë në Youtube dhe se i kishte thënë asaj se ishte krenar për të.
“Takimi ishte menduar të ishte i shkurtër, dhe zgjati gjithë natën. Roberti qante gjithë natën, i biri donte të vëzhgonte çdo video të Parashqevisë duke kënduar, nuk kishte parë asnjë video të nënës deri në ato momente.
Mesa kuptova nga komunikimet gjatë gjithë natës, ishte se ndarja e tyre nuk ka qenë e thjeshtë, ka qenë një luftë e madhe gjyqësore, dhe nuk mund të themi se kush është fajtori, nuk mund të them se është Robert, por as se Parashqevia ka qenë me qëllim fajtore. Është një dramë shumë e madhe.
Ai e ka kthyer gjashtë herë këngën ‘E duam lumturinë’ dhe në një moment i kërkon avokates time t’ia përkthejë, dhe ajo ia përktheu, dhe djalit iu mbushën sytë më lot. Ai i ka thënë Parashqevisë që ‘mama unë jam krenar për ty’ dhe kjo është arritja më e madhe që mund të ketë Parashqevia dhe që ai nuk e dinte që nëna e tij të ishte një yll, shikonte dhe një nënë shumë të bukur. Kur pa që ishte ajo që ishte, kam idenë që ai tani e do nënën e vet. Ishte një natë shumë e bukur ku ne kënduam, me shumë emocion…”, tha Eltoni.
“Djali ishte i traumatizuar dhe më kërkoi që asnjë video dhe foto nuk do merrte imazhin e fytyrës së tij madje as në profil. Ai nuk donte që të ishte i famshëm. Takimi ishte në fillim mbi gjemba, kishte emocion shumë. Parashqevia u ngrit në këmbë, ajo e kontrollon veten, është një grua e fortë dhe nuk qan kollaj. Ndoshta nuk pati një emocion tipike shqiptare, por ajo është një nënë artiste, unë nuk prisja që të reagonte ndryshe, madje u surprizova që ajo i tha ‘shpirt i nënës’ dhe ai që i vuri kokën…”, rrëfeu ai.