Alvaro Morata dhe Alice Campello janë sërish bashkë. Pas ndarjes në gusht të vitit të kaluar, çifti duket se ka vendosur t’i japë një tjetër shans martesës së tyre.
Modelja ka konfirmuar rikthimin e tyre duke ndarë një foto me futbollistin, babain e katër fëmijëve të saj. Ky lajm vjen pas muajsh spekulimesh dhe thashethemesh mbi marrëdhënien e tyre.
Në imazh, ylli spanjoll shihet duke puthur në faqe Alice-n, ndërsa të dy shfaqen të buzëqeshur para kamerës.
Krahas fotos, futbollisti vendosi edhe një emoji zemre, duke vulosur kështu rikthimin e tyre si çift.
Pavarësisht ndarjes së shpallur në fund të verës, ata janë parë bashkë në disa raste për hir të fëmijëve të tyre, Alessandro, Leonardo, Edoardo dhe Bella.
Alice u zhvendos në Itali pas transferimit të Moratas në AC Milan dhe theksoi se nuk kishin menduar kurrë për divorc. Ajo sqaroi se kishin të njëjtët avokatë dhe se ndarja nuk ishte aq përfundimtare sa u perceptua në fillim.
Marrëdhënia e tyre dukej më e afërt gjatë ditëlindjes së futbollistit në tetor, kur modelja e uroi publikisht, duke lënë të kuptohet se të dy ishin të gatshëm të kapërcenin problemet.
Në nëntor, ata u panë sërish bashkë në Milano, duke shijuar një shëtitje familjare me fëmijët e tyre.
Më pas, në dhjetor, Alice dha një intervistë për edicionin spanjoll të Forbes Woman, ku tha:
“Unë flas me Alvaron çdo ditë.” Ajo sqaroi gjithashtu se ndarja e tyre nuk kishte ardhur për shkak të tradhtisë:
“Ai nuk ka shkuar me dikë tjetër, asgjë nga këto nuk ndodhi. Alvaro më respekton. Fakti është që nuk ishim mirë bashkë për faktorë të tjerë.”