Anëtarja e grupit të famshëm K-pop, Blackpink, Lisa (Lalisa Manobal), ka qenë në qendër të vëmendjes pas pjesëmarrjes së saj në Met Gala 2025 – por këtë herë jo për arsye pozitive.
Lisa u paraqit me një veshje të Louis Vuitton, që përfshinte një xhaketë me dantellë, geta të zeza me logon e shtëpisë së modës, të brendshme dhe këpucë me takë. Aksesorët u plotësuan me një çantë të markës, por ajo që solli zemërim në rrjetet sociale ishte detaji i pazakontë i dizajnit: portretet e disa figurave të njohura, mes tyre edhe aktivistja afro-amerikane Rosa Parks, ishin të qëndisura në pjesë të ndryshme të veshjes – përfshirë të brendshmet.
Ky detaj u konsiderua si tejet i pandjeshëm dhe i papërshtatshëm nga shumë njerëz në internet, veçanërisht për shkak të kontekstit të temës së këtij viti në Met Gala.

Tema e Met Gala 2025 ishte “Superfine: Tailoring Black Style”, e cila kishte për qëllim të nderonte trashëgiminë dhe kontributin e stilit afro-amerikan.
Për ata që nuk e dinë, Rosa Parks është një ikonë e lëvizjes për të drejtat civile në SHBA. Në vitin 1955, ajo refuzoi t’i lëshonte vendin një burri të bardhë në autobus – një akt që shënoi fillimin e një revolte të madhe kundër diskriminimit racor.
Megjithëse Louis Vuitton nuk e ka konfirmuar nëse portreti në fjalë është realisht i Rosa Parks, shumë njerëz e panë vendosjen e imazhit në atë pjesë të veshjes si një zgjedhje të gabuar dhe të pandjeshme.
Në rrjete sociale, përdoruesit shprehën zhgënjim që një figurë kaq e respektuar u përfshi në një mënyrë që për ta u duk fyese – sidomos në një ngjarje që supozohej të ishte një nderim ndaj kulturës afro-amerikane.
Kjo nuk është hera e parë që emri i Lisa-s lidhet me kritika për çështje të ndjeshme. Pak javë më parë, një video e vjetër e Blackpink bëri xhiron e internetit, ku anëtaret – përfshirë Lisa, Jennie dhe Rosé – akuzohen për përdorimin e fjalës raciste “n*gga”. Deri më sot, asnjë kërkim faljeje publike nuk është bërë.








