Ben Affleck është hapur për herë të rrallë mbi ndjenjat që ka ndaj Britney Spears, në një intervistë të fundit në podkastin “This Past Weekend With Theo Von”. Aktori i njohur tregoi se ka ndjerë empati të thellë për këngëtaren, duke reflektuar mbi presionin që fama sjell dhe mënyrën se si media i ka trajtuar personazhet publikë ndër vite.
“Ndjeva shumë empati për Britney Spears. Nuk e njihja personalisht dhe as nuk kaloja kohë me të, por si të gjithë të tjerët, shihje të gjitha ato komente që qarkullonin përreth,” u shpreh ai, duke prekur periudhën kur Spears ishte në qendër të vëmendjes për arsye negative.
Ai ndaloi edhe tek mënyra se si paparacët dhe publiku shpesh e dehumanizojnë figurën e famshme. “Ajo që mungon në ato imazhe janë njerëzit që po provokojnë atë reagim. Tregohet vetëm ‘kafsha e zemëruar’, por jo ata që e nxisin atë,” tha ai, duke krahasuar këtë dinamikë me “njerëzit që tundin një shkop para një tigri për ta bërë të gjëmojë”.
Këto deklarata vijnë pak kohë pas një kujtese të papritur që ndau Britney Spears në Instagram, ku postoi një foto të vjetër me Affleck dhe kompozitoren Diane Warren. Në mbishkrim, ajo shkroi: “Është një foto e mrekullueshme e Ben Affleck, Diane Warren dhe e imja! A ju thashë që e putha Benin atë natë? Sinqerisht, e kisha harruar… kjo është çmenduri!”
Affleck, i cili po përjeton një fazë të re në jetën personale pas ndarjes me Jennifer Lopez, komentoi gjithashtu ndikimin e famës në karrierën e tij si aktor: “Nëse njerëzit më shohin gjatë gjithë kohës, nuk mund ta ndërtoj më iluzionin në një film. Ata e kanë të vështirë të pezullojnë mosbesimin.”
Aktori aktualisht po përpiqet të shesë vilën 68 milionë dollarëshe që ndante me Lopez dhe sipas burimeve pranë tij, është i hapur për të njohur dikë të ri – por këtë herë larg syrit publik.








