Katër muaj pas tragjedisë, Celine Dion gjen forcën për të folur. Ajo ka rrëfyer për ditët e fundit pranë bashkëshortit të saj Rene Angelil, i cili u nda nga jeta në janar pas një beteje të gjatë me kancerin. “Pa të nuk është e lehtë, por unë eci përpara për fëmijët”, tregon këngëtarja. Ajo është nënë e tre fëmijëve, binjakëve Eddy e Nelson 5-vjeçarë dhe djalit të madh Rene Charles 15 vjeç. “Më mungon shumë” ka thënë Celine për “People”. Më tej artistja kanadeze kujton e prekur telefonatën e fundit me dashurinë e jetës së saj, përkrah të cilit qëndroi më shumë se 20 vjet: “I thamë njëri-tjetrit ‘Të dua’ e asgjë më shumë”. Ajo rrëfen se fjalët e fundit ia ka përshpëritur në vesh. “I thashë, më premto që nuk do të shqetësohesh, nuk kam frikë. Djemtë janë rritur, do të jenë mirë. Mjaft vuajte, ik në paqe”. Dion dhe Angelil u njohën kur Celine ishte 12 vjeçe ndërsa ai, menaxher i saj 38-vjeçar. Më pas erdhi dashuria, suksesi dhe fëmijët.