Moderatorja e dashur për publikun, Fjoralba Ponari, është rikthyer në ekranin e Top Channel pas një mungese njëvjeçare, duke qenë e ftuar në emisionin “She’s on Top”. Ajo u prit me entuziazëm nga publiku dhe konkurrentet, teksa hyri në skenë duke kënduar “Historia De Un Amor”. Komplimentet nuk munguan as nga Visjan Ukcenaj dhe Sara Gjordeni, që vlerësuan performancën e saj.
Pas interpretimit, Fjoralba falënderoi televizionin për mikëpritjen dhe ndau emocionet e saj për përfshirjen në fushën e aktrimit, ku, sipas moderatores Argjira Spanca, ka shkëlqyer që në rolin e parë:
“Unë kam parë filmin dhe vlen të them se nuk dukesh se je aktore për herë të parë, domethënë që po aktron për herë të parë. Më ke dhënë ndjesinë sikur kishe vite e vite që e bëje si profesion,” – i tha Spanca.
Fjoralba ia atribuoi këtë sukses eksperiencës në “Portokalli”:
“Më ka mësuar dhe më ka ndihmuar se si të sillem në situata të ndryshme, si të gjej zgjidhje, si të përshtat batutat. Përpos kësaj rezulton që është edhe një pasion shumë i madh aktrimi, regjisura në fakt. Kam rënë në dashuri me gjithë procesin e të xhiruarit. Jam në filmin tim të dytë,” – rrëfeu ajo.
Në një moment të bisedës, Spanca i kërkoi mendimin për dy moderatoret aktuale të “Portokalli”-së, Kiara Tito dhe Nevina Shtylla. Fjoralba u shpreh se i ka përgëzuar të dyja që në nisje të rrugëtimit të tyre:
“Puna ka punë sa t’ia mësosh punës. Që do të thotë është një proces që nuk mund t’a shmangë asnjë prej nesh që në momentin që marrim përsipër një projekt të ri. Janë një sërë faktorësh që kontribuojnë edhe në performancën e moderatorëve. E rëndësishme është se rritja ka qenë prezente dhe graduale nga deputimi i parë e deri në fund, kështu që shumë urime vajzave. E kanë dashur gjithmonë këtë projekt dhe për këtë jam jashtëzakonisht shumë e lumtur. Të dyja e kanë dashur shumë”.








