Loredana Brati, ish-banore e “Big Brother VIP 4”, ka ndarë me ndjekësit një moment të rëndësishëm dhe tejet personal nga jeta e saj. Në një mesazh emocional në “Instastory”, ajo ka bërë të ditur se ka nisur një fazë të re në zhvillimin e saj personal: terapi logopedike.
Ky vendim, sipas saj, ka ardhur si rezultat i një reflektimi të thellë mbi vështirësitë që ka hasur në shqiptimin e gjuhës shqipe – një çështje që për të lidhet ngushtë me identitetin.
“Është e vështirë të kapësh fjalët, sidomos kur ndonjëherë ndihesh si i huaj në gjuhën tënde. Por çdo tingull i shprehur saktë më rikthen tek rrënjët e mia dhe lidhja me gjuhën time”, – shkruan ajo.
Në vijim të postimit, Loredana ndalet edhe tek paragjykimet dhe komentet negative që ka marrë lidhur me këtë çështje, duke shpjeguar se çfarë e shtyu të ndërmarrë këtë hap dhe si ka vendosur ta përballojë sfidën.
“Kam nisur një rrugëtim të ri – terapi logopedike për të përmirësuar shqiptimin tim të gjuhës shqipe. Nuk është gjithmonë e lehtë të përqash më fjalët, sidomos kur ndonjëherë ndihesh si i huaj në gjuhën tënde. Por çdo tingull i zënë saktë më kujton që lidhja me gjuhën është edhe lidhje me rrënjët e mia.”
Ajo shton se, ndonëse më parë e ka parë këtë si një problem, tashmë e kupton që është thjesht një vështirësi që mund të kapërcehet.
“Në këtë periudhë të fundit, kam kuptuar shumë brenda vetes idenë se kisha një problem. Por jo, ajo që kam nuk është një problem, është një vështirësi, dhe vështirësitë kapërcehen.”
Në një ton të drejtpërdrejtë, Loredana iu është drejtuar atyre që kanë komentuar me negativitet dhe gjykim:
“Dua t’ua them me zemër atyre që kanë komentuar me negativitet dhe agresivitet: kjo gjë që kam unë nuk është diçka me të cilën kam zgjedhur të lind apo ta mbaj. KUJTO!”
“Dhe të sulmosh dikë për një vështirësi që nuk e ka zgjedhur vetë, është pak e padrejtë. Nuk më vjen keq për komentet, por ndonjëherë lëndojnë. Prapë se prapë, unë jam këtu, dhe do të bëj më të mirën time në çdo version të vetes sime.”
Në fund, ajo përçon një mesazh për empati dhe mirëkuptim:
“Lëreni me pak më shumë dhembshuri për njerëzit! Të jesh i mirë nuk të kushton asgjë. Dhe nëse jeta të jep një tjetër sfidë për të cilën nuk i zgjedhim vetë, thjesht jeni pak më të ngrohtë me çka Zoti na ka dhënë.”








