Ajo që duhej të ishte një natë feste për fansat e Coldplay në Boston, përfundoi si fillimi i një skandali që sot po qarkullon në çdo cep të internetit. Një moment i shkurtër i kapur nga kamera live gjatë koncertit ka kthyer sytë e të gjithëve drejt një çifti në publik – por jo për arsye muzikore.
Në ekranin e madh, për disa sekonda u shfaq Andy Byron, CEO i kompanisë së teknologjisë Astronomer, i përqafuar me Kristin Cabot, drejtoreshë e burimeve njerëzore në të njëjtën kompani. Reagimi i parë i publikut ishte entuziast – një skenë romantike në sfondin e një koncerti magjik. Por emocionet ndryshuan shpejt kur publiku mësoi se Byron është i martuar dhe baba i disa fëmijëve, ndërkohë që bashkëshortja e tij nuk ndodhej në koncert.
Situata kulmoi kur vetë Chris Martin e vuri re skenën dhe ndaloi performancën për një koment me humor, që vetëm i shtoi benzinë zjarrit:
“Shikoni këta të dy… ose kanë një aferë, ose janë shumë të turpshëm!”
Ndërsa turma shpërtheu në të qeshura dhe kureshti, dyshja në fjalë nuk e fshehën dot sikletin. Byron uli kokën, ndërsa Cabot shmangu kamerën, e skuqur në fytyrë.
Pas ngjarjes, videot dhe memet pushtuan rrjetet sociale. Komentet varionin nga thashethemet për jetën personale, deri te dilemat mbi profesionalizmin dhe etikën në vendin e punës. As Byron, as Cabot nuk kanë reaguar ende publikisht.
Një gjë është e sigurt: ajo që nisi si një natë koncerti, është shndërruar në një histori që i ka tejkaluar kufijtë e muzikës dhe po bën xhiron e botës virtuale.









