Pas eksperiencës në Big Brother VIP Albania 4 dhe angazhimit me projektet muzikore gjatë verës, Egli Tako është gati për një tjetër sfidë profesionale. Burime për Vip Magazine kanë konfirmuar se këtë sezon, këngëtarja do t’i bashkohet stafit të programit të njohur të së dielës, “E Diell” në Top Channel.
Ky do të jetë debutimi i saj në rolin e moderatores televizive, duke shënuar daljen e parë në ekran pas përfundimit të reality show-t. Në rrjetet sociale, Egli ka lënë të kuptohet për këtë hap të ri, duke shkruar në një story: “Sezoni sapo filloi” – një mesazh që nuk i referohet muzikës, por pikërisht mediave dhe televizionit.
Kalimi nga skena muzikore tek prezantimi televiziv shihet si një sfidë e madhe, por edhe një mundësi për të treguar një tjetër anë të saj përballë publikut. Me energjinë dhe popullaritetin e fituar nga BBVA4, Egli pritet të sjellë një frymë të re në programin më të ndjekur të fundjavës.









