Mbrëmja gala e edicionit të 77-të të Emmy Awards u kthye në një spektakël emocionesh, ku televizionet dhe aktorët më të spikatur të vitit morën nderimin që meritojnë. Nga surprizat e mëdha, rekordet e thyera, e deri te fitoret historike, nata la gjurmë të pashlyeshme.
Seriali “The Pitt” arriti të marrë trofeun e shumëpritur për “Dramën më të mirë”, ndërsa “The Studio” u shpall “Komedia më e mirë”, duke barazuar rekordin e 23 nominimeve që vitin e kaluar e mbante “The Bear”. Për “Serinë më të mirë të limituar ose antologjike”, fitorja shkoi te “Adolescence”.
Ndër fituesit kryesorë të natës u përfshinë emra që tashmë kanë lënë gjurmë:
- Britt Lower mori çmimin për Aktoren më të mirë në dramë me rolin e saj në Severance.
- Noah Wyle fitoi si Aktori më i mirë në dramë për interpretimin në The Pitt.
- Në kategorinë e komedisë, Seth Rogen u shpall fitues për The Studio, ndërsa Jean Smart e rrëmbeu çmimin e saj të shtatë Emmy për rolin në Hacks.
- Stephen Graham shkëlqeu si Aktori më i mirë në një seri të limituar për Adolescence.
- Cristin Milioti triumfoi si Aktorja më e mirë në këtë kategori me performancën në The Penguin.
Ceremonia, e udhëhequr nga humoristi Nate Bargatze, u transmetua drejtpërdrejt në CBS dhe në Paramount+, duke ofruar një natë të paharrueshme për adhuruesit e televizionit.
Lista përfundimtare e fituesve përfshiu prodhime të mëdha si Severance, The White Lotus, Slow Horses dhe Paradise, por trofetë më të rëndësishëm shkuan për “The Pitt”, “The Studio” dhe “Adolescence”.








