Dimri nuk nis më 1 dhjetor. Ai nis kur një çast, një ditë përballemi me dhimbje që domosdo na duhet t’i kthejmë në forcë. Atë çast kur buzëqeshjet mbushen me mall, me makthe, me pakësim shprese e “batery low” në shpirt. Dimri i jetës nis kur mendojmë se kemi gjithçka në dorë, e në fakt nuk kemi asgjë. Kështu nisi dhe dimri i gazetares së njohur Mira Kazhani. Në një ditë të dielltë nëntori, papritur, kthjelltësia u bë e zezë dhe udhëtimi i disa muajve prej asaj dite, ishte i mundimshëm. Betejën me kancerin e gjirit, Mira e kaloi “qetësisht”, larg prej syve të kobshëm të çdokujt që gojën e hap për të thënë marrëzi, larg prej çdo aparati, çdo shkrimi të gjatë për të, por afër njerëzve të zemrës. Por, tani kur ka kaluar thuajse një vit prej asaj dite, ajo është gati të rrëfejë betejën e saj, fitoren e saj me sëmundjen që e bëri ta shohë ndryshe botën, jetën, çdo gjë. Teksa në shkurt të këtij viti të gjithë prisnim me padurim pranverën, Mira shkroi librin “Një ditë tjetër”, për të gjithë dimrin e saj të gjatë dhe tani prej 19 shtatorit do të mund ta lexojmë të gjithë.
Në podkastin e kësaj jave, ajo ishte vetë e ftuara e radhës. Përballë mikes së saj të zemrës, Anjeza Majës, rrëfeu kalvarin e gjithçkaje që i është dashur të kalojë gjatë kësaj kohe.
“U diagnostikova me kancer në gji dhe që prej asaj dite gjithçka ndryshoi përgjithmonë. Në podcaste keni parë vetëm gjysmën time, ndërsa pjesa tjetër zhvillohej në një betejë të gjatë me sëmundjen. Në atë kohë zgjodha të hesht, të përqëndrohem te shërimi im dhe të mos bëhem lajm në rrjet. Sot, ndihem mirënjohëse ndaj kolegëve të mi që e mësuan situatën time e që nuk e shpërndanë lajm, duke më sjellë qetësi mua e që nuk sollën shqetësim te prindërit e mi që nuk e dinin se çfarë po kalonte fëmija i tyre, tani e dinë se çfarë kisha. Nuk ka kancer të lehtë, është makth. Edhe kur diagnostikohet në fazat e para, është një plagë e madhe në shpirt e trup”, u shpreh ajo. Gjithmonë kam besuar te rrëfimi. Ky është podcasti më i vështirë i jetës sime, ndaj për të më bërë pyetje sot kam ulur përballë një shoqe jete”, tha ajo para se të niste bisedën në podkast.








