Marrëdhënia mes Mikelës dhe Efi Dhedhesit duket se ka përfunduar përfundimisht. Të dyja ish-banore të Big Brother VIP 2, vajzat kanë reaguar publikisht — por secila në mënyrën e vet — për prishjen e miqësisë që dikur dukej e pathyeshme.
Gjatë një interviste në Andale Media, Mikela Pupa foli hapur për raportin e ftohur me Efin dhe për mënyrën si koha i ka ndarë rrugët e tyre. E pyetur nëse ishte penduar që hyri në shtëpi bashkë me të, ajo tha:
“Nuk pendohem. Jam njeri që nuk rri e vras shumë mendjen ‘Si ndodhi?’, ‘Pse ndodhi?’ Dhe më pëlqen që ndodhi ashtu sepse më vonë koha tregoi dhe shumë gjëra të tjera.”
Mikela shtoi se nuk ka më asnjë kontakt me Efin, por pavarësisht gjithçkaje, i uron të mirat:
“Gjëja e vetme që mua më vjen keq është që kujtimi i fundit që kam me të nuk ka qenë fare i mirë dhe kam qenë shtatzënë… por që i uroj më të mirat dhe të ketë suksese në jetën e vet.”
Ajo la të kuptohet gjithashtu se fama mund të ketë ndikuar në prishjen e marrëdhënies:
“Kur të kesh lekun dhe famën i kupton vërtet njerëzit se kush janë.”
Pas këtyre deklaratave, Efi reagoi përmes Instagramit me disa mesazhe që u interpretuan si përgjigje indirekte ndaj Mikelës. Në një seri “story”-sh, ajo u shpreh:
“E nisim ditën me një këshillë pozitive: sa herë të shihni dikë, dëgjoni dikë që mund t’ju ulë vlerat ose energjinë ose t’ju prishë ditën, ju aty merrni akoma më shumë fuqi dhe jepini, se sa më shumë njerëz të flasin keq për ju, do të thotë që jeni në rrugën e duhur.”
Në një tjetër postim, Efi shtoi:
“Nëse jeni i mirë me të gjithë do të thotë që diçka nuk shkon me ju sepse njeriu nuk mund të përshtatet dhe të pëlqehet nga gjithkush, pra i bie që po shtireni, kështu që mos gënjeni veten. Mos u mundoni t’i përshtateni çdo shoqërie, por gjeni shoqërinë që ju përshtatet.”
Ajo theksoi se në jetë gjithmonë do të ketë njerëz që të pengojnë, por mënyra si i sheh bën diferencën:
“Nëse ti e sheh që këta njerëz të cilët të pengojnë do të të shërbejnë, atëherë nuk do mërzitesh.
Në rastin tim, ka raste që fytyra ime është… o Zot i madh dhe nuk më flitet me gojë. Personi që më ka takuar atë ditë, do thotë ‘ajo Efi shumë njeri i hidhur’. Ti ekziston në këtë botë në 1 milion versione të ndryshme.”
Ajo e mbylli me një reflektim për pjekurinë dhe përgjegjësinë personale:
“E di cila është një nga fazat më të bukura të jetës? Atëherë kur ti ndalon së qeni një viktimë. Kur ndalon së fajësuari të tjerët për problemet që ti ke në jetë.”
Edhe pse asnjëra nuk e përmendi direkt tjetrën, fjalët e tyre lanë të kuptohet se plagët e miqësisë së dikurshme janë ende të freskëta — dhe ndoshta ende pa mbyllur plotësisht.








