Bota e muzikës po përjeton një moment historik, dhe këtë herë janë dy shqiptare që ndriçojnë më shumë se kurrë. Bebe Rexha dhe Dua Lipa kanë hyrë në mesin e pak artisteve femra që kanë thyer rekorde në Spotify, duke kaluar shifrën e 1 miliard dëgjimeve me disa prej hiteve të tyre më të njohura.
Sipas InMusicBlog, më shumë se 16 këngëtare në mbarë botën kanë arritur këtë sukses marramendës me të paktën një këngë, por vetëm disa prej tyre kanë arritur ta përsërisin me më shumë se një projekt muzikor.
Në fillim të vitit 2023, Taylor Swift nuk kishte asnjë këngë që kishte kaluar një miliard dëgjime, ndërsa sot ajo renditet ndër artistet me më shumë këngë në këtë kategori. Po ashtu, Karol G dhe Shakira mbeten rekordmbajtëset latine me numrin më të lartë të këngëve që kanë kaluar këtë kufi magjik.
Ndërkohë, Lisa dhe Jennie nga grupi BLACKPINK janë të vetmet artiste solo të K-Pop-it që kanë arritur këtë sukses, falë këngëve “MONEY” dhe “Popular”.
Por krenaria më e madhe për shqiptarët vjen nga emrat tanë me famë botërore – Bebe Rexha dhe Dua Lipa. Të dyja kanë hyrë në historinë e platformës: Bebe me 4 këngë mbi një miliard dëgjime dhe Dua me plot 12 këngë që kanë tejkaluar këtë shifër.
Kjo e vendos Duan në mesin e vetëm pesë këngëtareve në botë që kanë mbi 10 këngë me më shumë se një miliard dëgjime. Sipas raportimeve, suksesi më i fundit i këtij lloji është regjistruar nga Doja Cat me këngën “You Right”, e cila u bë e teta në katalogun e saj që arrin këtë shifër.
Në një industri ku rekordet thyhen çdo ditë, vajzat shqiptare po tregojnë se talenti dhe puna e tyre nuk njohin kufij. Me këtë arritje, Bebe Rexha dhe Dua Lipa jo vetëm që përfaqësojnë muzikën moderne, por edhe flamurin shqiptar në skenën më të madhe të botës.








