Një video e publikuar nga Oriola Marashi në rrjete sociale ka ngritur shumë reagime këto ditë, pasi modelja përdori pa e ditur një term që u cilësua si ofendues ndaj komunitetit Rom. Pas komenteve të shumta dhe kritikave që mori në Instagram, ajo ka zgjedhur të sqarojë publikisht situatën.
Në një postim të ri në rrjete sociale, Oriola kërkoi falje për përdorimin e fjalës “gabi”, duke theksuar se nuk kishte qenë në dijeni për kuptimin e saj:
“Në një video që kam postuar më herët, përdora pa dashje një fjalë që nuk e dija se ishte ofenduese për komunitetin Rom. E kam hequr videon dhe dua të kërkoj ndjesë nëse dikush është ndier i lënduar. Kam respekt të madh për çdo kulturë dhe komunitet në vendin tim.”
Reagimi i saj erdhi pasi shumë ndjekës i kërkuan të reflektonte dhe të hiqte videon nga profili. Disa komentues i kujtuan se termi “gabi” është i lidhur me fjalën “gabel”, e cila konsiderohet raciste dhe diskriminuese.
Madje, edhe studiues të fushës reaguan publikisht. Një prej tyre ishte Dr. Kaim Hadroj, pedagog i studimeve të Romologjisë në “Bielefeld University”, i cili i shkroi:
“Fjala ‘gabi’ është diskriminuese për minoritetin Rom në Shqipëri… Do të ishte mirë madje t’i kërkonit falje këtij minoriteti për përdorimin e asaj fjale diskriminuese.”









