365 ditë më vonë. Është e diel, 2 nëntor 2025. Dielli rrezaton, gjethet bien, ca buzëqeshje i dëgjoj nga dritarja e dhomës. Njësoj shkëlqente dielli dhe më 2 nëntor 2024, atë ditë kur Mira mori lajmin që i ndryshoi ditën, jetën, e bëri dimrin të gjatë, të gjatë sa vetë jeta. Dielli nuk reshti së rrezatuari për botën, as për Mirën që e përqafoi diellin e nuk la asnjë re ta prishte folezën e saj të shpresës. Lufta nisi shpejt, pa flamur paralajmërimi të ngritur atje tej. Sa herë e kam takuar Mirën, në buzagaz, në përqafime, në biseda të gjata për librat, për podkastet, për këpucën që një ditë e vriste si për dreq, për atë pulovrën e kashmirit që e provoi para meje. Po si nuk ia hodha një sy trupit të saj? E mbajta shikimin tej, nuk kuptova asgjë atë ditë, as ditën tjetër, as asnjë ditë, deri kur fjalia: “Mira ka kaluar kancer gjiri”, m’i ftohu mendimet, më ngriu, më la shakull në vend. Po si, kur, pse? E kisha takuar thuajse çdo ditë, e nuk kisha kuptuar asgjë. Nga ajo ditë e dielltë nëntori, Mira luftoi në heshtje, nuk i la mullinjtë e erës ta përhapnin lajmin kudo, as nuk e uli shikimin, as nuk e shoi buzëqeshjen. Sot u bë një vit, flamuri i bardhë është “Një ditë tjetër”, është Mira që na thotë tanimë jo në heshtje, por në jehonë: Unë ia dola!
Intervista nga Manjola Markola/ Photoshooting: Ergys Zhabjaku
Mira, si je?
Nuk do të kisha dashur që të ishe ti personazhi që zgjedh për Tetorin Rozë, por jam e nderuar dhe me fat që të kam në WHO, për të rrëfyer një përvojë të jetuar dhe një betejë të fituar.
-Jam shumë mirë. Dhe personazhi “rozë” më ka dhënë mua më shumë kuptim në çdo gjë. Ndaj ndihu e qetë dhe më pyet lirshëm.
Përjetove një vit të brishtë, të trishtë, të fortë, të gjatë, një vit që të pjek e të djeg, mes një beteje të gurtë e të guximshme me kancerin e gjirit. Si ishte të përballeshe me një luftë ndaj së cilës mburojë të vetme kishe shpresën?
– E the bukur: të djeg e të pjek. Unë po e kthej pak ndryshe, nuk kisha vetëm shpresën, kisha sidomos dëshirën për të jetuar. Dhe e provova si asnjëherë më parë. Ne, njerëzit, jemi qenie të çuditshme. Kujtojmë se gjërat që kemi na takojnë. Këtë vit kuptova që fakti që jemi këtu është një dhuratë.
Ti ke rrëfyer gjithçka në librin tënd “Një ditë tjetër” një manual për jetën, për “kacafytjen” me një armik që të doli përpara papritur dhe ndryshoi çdo gjë. Çfarë kishte Mira më 2 nëntor 2024 dhe çfarë ka Mira më 2 nëntor 2025?
-Më 2 nëntor 2024 kisha besimin te jeta. Kisha turravrapin e njeriut që s’e ka provuar t’i shembet bota mbi krye. Tani, më 2 nëntor 2025, kam respekt për jetën që kam. Për fitoren time. Për gëzimet e vogla të çdo dite. Tani e di më mirë kush jam, çfarë dua dhe ku po shkoj.

Pra, a ka një Mira para kancerit dhe një Mira pas kancerit? Çfarë ka ndryshuar rrënjësisht te kjo e dyta?
-Nuk do të thoja që jemi dy njerëz të ndryshëm, por po, ka një Mira pas kancerit. Besoj se çdo njeri që kalon në këtë shteg nuk mbetet më i njëjti. Jam më e qetë, nuk më dominojnë më dyshimet dhe frikërat e dikurshme. Po ashtu, nuk më miklojnë më ambiciet e vjetra. Tani shkoj më mirë me botën. Kam fituar një tolerancë për gjithçka që nuk më ngjan. Nuk kemi kohë për konflikte. Koha fluturon. Dhe unë dua ta përdor mirë kohën time.
Në të gjitha dimensionet e empatisë, të gjithë ndalojmë aty ku duhet të veshim këpucët e tua, apo të kujtdo që ka kaluar betejën me kancerin. Si ka qenë për ty ky kalim: nga një intervistuese dhe dëgjuese e përvojave të pacientëve apo specialistëve për sëmundjet e tyre, në paciente dhe dëgjuese për sëmundjen tënde?
-Kur u diagnostikova me kancer gjiri dhe përgjatë betejës, ju e dini që vazhdova punën. Vura re që nisa t’i shoh e t’i dëgjoj ndryshe të ftuarit. Nuk i shihja për atë që dukeshin apo për atë që thoshin. Tani e di që askush nuk është aq i lumtur sa duket, as aq i trishtuar sa duket. E vërteta është që po e përjetoj bukur edhe këtë moment timin. Fakti që qindra gra më kanë shkruar dhe po, qindra nuk është hiperbolë, e më thonë që gjejnë veten në librin “Një ditë tjetër”, më ka bërë të ndihem mirë. Kisha frikë se mos isha e vetme në të vërtetën time. Tani e di që s’jam.

Si është shndërruar me kalimin e muajve pyetja: “Pse unë?”
-S’e bëra kurrë. Nuk e di pse. Ndoshta s’kisha kohë, gjithçka ndodhi shpejt.
A i veçon me pika 5 momentet që e kanë shënjuar këtë rrugëtim?
-Nuk i kam numëruar momentet. Por nëse flet për betejën, çdo ditë ishte e rëndësishme. Nëse i referohesh jetës sime në përgjithësi, do të thoja: fëmijëria me gjyshin, puna si gazetare, podkasti, sëmundja e babit, kanceri im dhe libri “Një ditë tjetër”
E quaj librin tënd “manual”, sepse në çdo faqe të tij ke gërshetuar çdo ndjesi, çdo dhimbje universale e vuajtje personale, çdo pyetje dhe përsiatje për kancerin, trupin, shpirtin. I ke dhënë zë heshtjeve të shumë prej atyre që kanë kaluar apo po kalojnë të njëjtën situatë. Si nise ta shkruaje librin?
-Më 8 shkurt u ula në Notes. Dhe thjesht tregova çdo gjë, fije për pe. Kisha frikë sepse nuk isha shkrimtare, nuk kisha shkruar kurrë një libër, se ndoshta s’do ta bëja dot mirë. Por u tregova e sinqertë me çdo detaj. Isha vetvetja.
E mendoje që do të kishte këtë sukses?
-Jo. Nuk jam njeri që më pëlqen shumë vetja. As kanceri s’ma ndryshoi këtë. (qesh) Mua gjithmonë më duket se dikush tjetër është më e bukur, më e zgjuar, më e talentuar.
Teksa kam lexuar librin, nuk kam parë vetëm një rrëfim të një beteje të fituar. Të kam parë si shkrimtare. Ti si e sheh veten me penën në dorë? Është ndezur drita jeshile për Mirën shkrimtare?
-Libri “Një ditë tjetër” ia hapi rrugën vetes. Fakti që njerëzit e pëlqyen dhe që tani nuk është më historia ime ajo që shet librin, por libri që shet veten, më jep siguri. Do të shkruaj patjetër. Gjithmonë e kam pasur në plan, por jo kështu, me mua “heroinë”. Ndoshta më mirë kështu.
Cili ka qenë mendimi i parë pasi the “po” për botimin?
-Iu luta Zotit që libri të prekte zemrat e njerëzve, të mos ishte vetëm një zhurmë rrjeti.
A do të ishte ndryshe libri nëse do ta shkruaje sot?
-Jo. Do ta shkruaja njësoj. Pa asnjë presje më shumë.
Si i sheh sot ata që janë përballur apo po përballen me kancerin e gjirit? Si ka ndryshuar këndvështrimi yt?
E kam treguar në libër. Dikur ndieja frikë. Sot i shoh si njerëz që dinë diçka më shumë se të tjerët. Përjashtim bëjnë rastet kur dëgjoj beteja që nuk janë fituar. Aty nuk jam dot e fortë, edhe pse përpiqem ta fsheh gjatë takimeve të turit të librit. Por në fund të turit do të flas më gjatë për këtë pjesë.
Nëse do të kishe mundësi të ktheheshe në një vit të jetës tënde, cili do të ishte ai?
-Oh, nuk dua të kthehem askund. Dua të ec përpara. Por po, ndonjëherë më vijnë ndërmend pasditet tek gjyshërit, kur zgjohesha nga gjumi i drekës dhe rrija në oborr pranë një dere që s’ishte funksionale, sepse përtej ishte mur. Por unë kisha zakon të rrija aty me veten. Kam qenë fëmijë individualiste. Rrija në botën time.
Thonë se ngjarje të tilla ose ndërtojnë kështjella besimi, ose i rrëzojnë ato. Si ka ndodhur me ty?
-Ka shumë kështjella që janë të rreme. Ne njerëzit ndërtojmë shumë të tilla në jetë. Vetëm kështjellat e forta qëndrojnë: shëndeti dhe dashuria.
Kush ka qenë pranë teje gjatë këtij rrugëtimi?
-Ata e dinë. Në libër i kam përmendur. Të gjithë njerëzit e mi të afërt. Po të filloja të numëroja, me siguri do harroja ndonjë. Në promovim, harrova madje edhe lulet e Fatmës, apo dashurinë e familjes Lajthiza. Isha shumë e emocionuar. Më falet.

Kur ne bëjmë plane, Zoti qesh. Por ndërsa afrohet fundi i vitit, çfarë pret Mira nga vetja?
E sigurt, një podcast. Por shpresoj të mos filloj të mendoj çfarë presin të tjerët nga unë, se përndryshe do bëhem mendjemadhe, dhe nuk më shkon mua ajo gjë.
Çfarë të bën të lumtur sot?
-Që jam mirë me shëndet.
Dua të të them që je shembull për shumë njerëz që janë aty jashtë, që në heshtje apo në britma po përballen me kancerin. Ke qenë gjithmonë me një buzëqeshje të ndezur, me vrap për në podcastin e radhës. Me apo pa vetëdije, je shndërruar në një muzë shprese dhe force. Në këtë kornizë frymëzimi, cili është mesazhi yt për të gjithë ata që presin “Një ditë tjetër”?
-Mendoj se “Një ditë tjetër” ka bërë efektin e vet. Jam kaq e lumtur që ndodhi kështu. Të gjithë duhet të dëgjojmë zërin brenda vetes. Trupi na jep më shumë mesazhe sesa të tjerët. Ndaj secili duhet të dëgjojë mesazhin e vet./revistawho
*Nuk lejohet ribotimi pa lejen e redaksisë*








