Cristiano Ronaldo ka treguar së fundmi se martesa e tij me partneren e gjatë, Georgina Rodriguez, mund të ndodhë vetëm pasi ai të realizojë një tjetër ëndërr të madhe, fitimin e Kupës së Botës 2026 me Portugalinë.
Në një intervistë së fundmi, ylli portugez pranoi se planet për martesë janë diskutuar shpesh nga çifti, por ata po presin momentin e duhur. “E kishim planifikuar ta bënim pas Kupës së Botës, me trofeun në dorë,” tha Ronaldo, duke lënë të kuptohet se dasma e tyre është e lidhur ngushtë me një sukses historik të kombëtares portugeze.
Ai zbuloi gjithashtu se Georgina preferon një ceremoni të qetë dhe intime, larg syve të publikut. “Asaj nuk i pëlqejnë festat e mëdha. Do të respektoj plotësisht dëshirat e saj,” u shpreh ai.
Kombëtarja e Portugalisë pritet të paraqitet me një skuadër të fortë dhe ambicioze në Botërorin e Amerikës së Veriut, ndërsa vetë Ronaldo shpreson ta mbyllë karrierën ndërkombëtare me një triumf historik.
Kujtojmë se CR7 i propozoi Georginës me një unazë të vlerësuar në mbi gjashtë milionë euro. Influencuesja reagoi menjëherë me fjalët: “Po, po. Në këtë dhe në të gjitha jetët e mia.”
Sipas Alberto Guzman, mik i afërt i çiftit, unaza nuk ishte dhurata e vetme që Ronaldo i ka bërë Georginës. Ai i ka dhuruar gjithashtu një Porsche luksoz, dy ora me vlerë mbi 50 mijë euro, si dhe veshje nga dy stilistë të njohur që kapin vlerën e rreth 30 mijë eurove.








