Stresi ka komentuar së fundmi takimin me Jozin, moment që u bë viral në rrjetet sociale duke sqaruar se, ndonëse situata mes tyre mund të kishte marrë përmasa më të mëdha, gjithçka u menaxhua me qetësi dhe maturi.
Në intervistën e dhënë për Prive, ai tregoi se të dy ndodheshin në të njëjtin koncert dhe më pas janë takuar rastësisht në lagjen ku banon Jozi.
“Kemi qenë mirë, kemi pasur ato mosmarrëveshjet tona. Kemi ndaluar bash në zonën e tij për të pirë diçka dhe aty u takuam. Jo se na ndaloi dikush,” u shpreh Stresi.
Ai shtoi se për fat të mirë nuk ka pasur asnjë incident, edhe pse situata mund të kishte përfunduar ndryshe.
“Shyqyr Zotit që nuk ndodhi një përplasje fizike, sepse sot duhet të jesh edhe strateg. Duhet të dish si të flasësh, si ta shtrish situatën, ta qetësosh. Ata ishin një grup i madh njerëzish,” tha reperi.
Sipas tij, biseda është zhvilluar privatisht dhe të dy kanë vendosur të mbyllin përfundimisht çdo keqkuptim mes tyre.
“Kemi folur veçmas dhe e kemi lënë atë muhabet aty. Nga diçka që mund të ishte bërë shumë e madhe, e qetësuam. Jam pak k**il me mendje, s’mundesh me më pa në situata që ia kemi bërë të tjerëve,” shtoi Stresi, duke lënë të kuptohet se këtë herë ka zgjedhur arsyen në vend të konfliktit.








