Mbrëmja e djeshme i përkiste Turjan Hyskës, i cili debutoi me filmin e tij të parë artistik, “Kazerma”, një prodhim që nga sot mund të shikohet në të gjitha kinematë që e mbështesin. Premierës iu bashkuan shumë personazhe të njohur të ekranit, artit e medias, duke e kthyer eventin në një nga ngjarjet më të komentuara të javës.
“Kazerma” sjell një koncept të veçantë dhe të pazakontë për kinemanë shqiptare: një ndërthurje mes reality show-ve dhe botës së rrjeteve sociale, duke prekur tema aktuale dhe të ndjeshme, që lidhen me mënyrën se si jetojmë, komunikojmë dhe ekspozojmë veten sot. Filmi premton dramë, emocion, humor dhe plot surpriza që publiku do t’i zbulojë vetëm në sallë.
Ndër ata që e shijuan këtë moment të rëndësishëm, nuk mungoi edhe bashkëshortja e Hyskës, Orinda Huta, e cila bëri një urim të ndjerë në Instagram. Ajo shkroi:
“KRENARE për ty Turjan Hysko! Kazerma.film sot nis rrugetimin ne kinema…”, duke e shoqëruar postimin me detaje mbi shfaqjet: Në rrjetin Cineplexx dhe Kinema Millennium.
Me atmosferën festive, të ftuar të njohur dhe emocionet e një projekti të ri kinematografik, “Kazerma” duket se ka nisur udhëtimin e tij me shumë zhurmë – dhe publiku mezi pret të zbulojë se çfarë fshihet pas këtij koncepti të guximshëm.














