Në Akademinë Përkujtimore të mbajtur sot në Çair, atmosfera u mbush me emocione të forta sapo nëna e Shpat Kasapit, Gjylymsere Kasapi, mori fjalën. E thjeshtë dhe e qetë në dukje, por me një dhimbje që dukej se e mbante me forcë, ajo shprehu mirënjohjen ndaj mikut të vjetër të familjes, kryetarit të sapozgjedhur të Çairit, Izet Mexhiti.
“Faleminderit zotëri Izet Mexhiti, miku im, që organizove këtë eveniment për nder të humbjes së madhe të shpirtit tim, gjysmës së shpirtit tim, Shpatit,” tha ajo, mes një heshtjeje të thellë në sallë.
Edhe pse ka kaluar më shumë se dy dekada në arsim, Gjylymsere Kasapi pranoi se asnjë përvojë nuk të përgatit për fjalë të tilla. “Sot do thoni pse nuk jam në gjendje të flas. 22 vjet kam ligjëruar, por sot ndjej një emocion që kurrë në jetë nuk e kam ndjerë. Dhe e dinë të gjitha nënat që e kanë humbur fëmijën e vet.”
Mes dhimbjes, ajo u ndal edhe te dashuria e publikut për Shpatin, një gjë që e kishte befasuar. “Në një aspekt tjetër, jam shumë krenare dhe e lumtur që paskam lindur një djalë, jo vetëm i imi, por i të gjithë juve. Ju e paskeni dashur dhe unë nuk e kam ditur që e keni dashur kaq shumë.”
Por momenti që la të gjithë të pranishmit pa fjalë ishte kur ajo foli për vitin e fundit të jetës së këngëtarit. “Le të prehet në paqe. Le të jetë i qetë atje, pasi vitin e fundit nuk ka qenë i qetë. Kjo ka qenë parandjenjë e gjithë neve që jemi shqetësuar si familje.”
Në fund, ajo bëri një lutje të dhimbshme, që preku çdo prind në sallë:
“E lus Zotin, me lutjet e mia më të fuqishme që të më ruajë fëmijët e tjerë, dritat e syve: Albinin, Jehonën, nipërit, mbesat, Roelin dhe Selvijen, që do më mbajnë të gjallë nëse jam në jetë tutje. Le të prehet në lulet e xhenetit.”
Shpat Kasapi u përcoll për në banesën e fundit të dielën në Tetovë, duke lënë pas një boshllëk të madh në botën e muzikës dhe një familje që vazhdon ta kujtojë me nderim dhe dashuri.








