Aktori turk që ka pushtuar ekranet europiane, Can Yaman, ka habitur publikun me një detaj që, sipas tij, nuk e kishte ndarë më parë: lidhjen e tij të drejtpërdrejtë me Shqipërinë dhe Kosovën. Yaman, që këtë sezon shfaqet si protagonisti i serialit të ri “Sandokan”, ka folur për herë të parë për gjurmët shqiptare në familjen e tij.
Në rrëfimin e dhënë për mediat italiane, ai është ndalur tek vendi ku është rritur dhe tek historia e gjyshërve që kanë përfunduar në Turqi pas luftrave të shekullit të kaluar.
“Jam rritur në Suadiye, një lagje rezidenciale në pjesën aziatike të qytetit, me fusha futbolli e basketbolli për djemtë. Është një zonë e banuar nga emigrantë të gjeneratës së dytë e të tretë, si gjyshërit e mi me origjinë kosovare e shqiptare, që kishin ardhur në Turqi gjatë luftës. Ata mes tyre flisnin shqip”, u shpreh ai, duke sqaruar se nëna e tij vjen nga Kosova, ndërsa babai rrjedh nga një familje shqiptare e vendosur në Turqi dekada më parë.
Kur u pyet nëse flet shqip, aktori tregoi se gjuha nuk është pjesë e përditshmërisë së tij:
“Jo! Babai ka lindur në Turqi dhe unë jam rritur si një djalë tipik i Stambollit, edhe pse mes njerëzve nga kudo. Nuk na habisin kulturat e ndryshme, ato janë pjesë e historisë së Perandorisë Osmane. Turqia ka shumë migrantë dhe vendndodhja jonë mes Lindjes, Europës dhe Afrikës së Veriut ndikon shumë në këtë. Si i rritur, mund të zgjedhësh vetë nëse do të jesh më perëndimor apo më lindor.”
Këto detaje e bëjnë akoma më interesante figurën e Yaman, i cili prej vitesh është kthyer në një nga emrat më të komentuar të televizionit. Edhe pse nuk e njeh gjuhën shqipe, aktori pranon se rrënjët familjare kanë luajtur rol në formimin e tij dhe në larmishmërinë kulturore me të cilën është rritur.
Në rrjetet sociale, deklarata e tij ka ndezur diskutime, sidomos mes fansave shqiptarë që e kanë pritur me entuziazëm këtë konfirmim të origjinës.









