Pak orë para startit të edicionit të pestë të “Big Brother VIP”, një tjetër emër i njohur i ekranit ka konfirmuar hyrjen në shtëpinë më të famshme në vend. Bëhet fjalë për Angelo Harunin, drejtuesin e “Top Talk Economy”, i cili zgjodhi ta bëjë njoftimin drejtpërdrejt nga studioja, duke i lënë të gjithë të befasuar.
Gjatë mbylljes së emisionit, Haruni hoqi kravatën dhe njoftoi se po i jep fund përkohësisht rolit të moderatorit, për të nisur një kapitull krejt ndryshe si konkurrent në reality show. Ai theksoi se vendimi ka ardhur papritur, por i menduar, dhe se nga momenti që largohet nga studioja, nis edhe izolimi i plotë.
“Ky është emisioni im i fundit, është nga ato momente e vështirë të flasësh sepse vjen i paparashikuar. Dua të falenderoj ekipin tim, të gjithë ata që punojnë me përkujdesje pas kamerave që ky emision të egzistojë. Falenderoj publikun, shikuesve tanë besnikë. Faleminderit bashkëpunëtorëve me të cilët kam ndarë mendime, diskutime dhe debate për tema të ndryshme online dhe në studio. Sot e mbyll këtë kapitull, për të nisur një tjetër. Nga nesër do të jem banor i shtëpisë së ‘Big Brother VIP’. Sapo të dal nga kjo studio, do shkon në izolim aty ku duhet të mbyllen banorët para se të futen në shtëpi. Do dorëzoj telefonin për të ndenjur pa kontakt deri në hyrjen si konkurrent. Nga ky çast loja nis e barabartë për të gjithë. Në atë shtëpi nuk shkohet me plan. Ju më keni ndjekur deri më tani me kostumin e ekonomistit. Aty do më shihni ndryshe, një version më pak të moderuar, më të vërtetë, me gabime, forcë, kurajo dhe vendosmëri. Shpresoj që mbështetja juaj të më ndjekë dhe aty”– tha ai.
Angelo Haruni ka qenë prej kohësh një nga figurat kryesore të “Top Talk Economy”, ku ka trajtuar çështje të rëndësishme ekonomike me interes publik. Tashmë, publiku do ta shohë në një tjetër dimension — larg analizave dhe grafikëve, më afër emocioneve, sfidave dhe bashkëjetesës brenda shtëpisë së “Big Brother VIP”.
Me këtë hyrje, gara nis me një profil që premton dinamika të reja dhe surpriza që nga dita e parë.









