Në skenën e Aristonit, Ermal Meta nuk solli vetëm një baladë. Ai solli një emër. Në natën hapëse të Sanremo 2026, në jakën e këmishës së tij ishte qendisur “Amal”, që në arabisht do të thotë “shpresë”. Një zgjedhje e menduar, sepse siç u bë e ditur, emrat do të ndryshojnë çdo natë. Me “Stella Stellina”, frymëzuar nga vajza e tij 1 vjeçare, Fortuna, artisti sjell edhe historinë e një vajze palestineze që mbetet pa emër, simbol i të gjithë fëmijëve të vrarë në Gaza, duke e zhvendosur festivalin nga spektakli drejt reflektimit.
Në një deklaratë për Corriere della Sera, ai u shpreh pa ekuivok:
“Dua të qëndroj larg atyre që besojnë se nuk mund të flasim për një popull që është masakruar vazhdimisht për 70 vjet.” Dhe shtoi:
“Një popull që është në gojët e të gjithëve, por askush nuk flet për të, një oksimoron i çmendur. Por unë nuk po flas për luftën; lufta është midis dy ushtrive dhe në këtë rast shoh vetëm një të tillë.” Fjalë që e bëjnë këngën të dalë përtej muzikës dhe ta vendosin në territorin e qëndrimit moral.
Në Instagram, Meta e shpjegoi edhe më tej simbolikën:
“Protagonistja e ‘Stella Stellina’ është një vajzë pa emër, por ndoshta i ka të gjithë emrat. Aysha, Amal, Layla, Nour, Hind, kujt i intereson, ndoshta asgjë, ndoshta gjithçka. Bijat e askujt, bijat e të gjithëve. Doja që emrat e tyre të qepeshin në rrobat e mia, të shkruara me dorën time.” Ndërsa në vargjet e këngës dëgjohet:
“Lule në një oborr me gurë përreth,
Si flutura jetove një ditë,
Bijë e askujt, melodi e një kënge,
Atë të njerëzve që të deshën aq shumë.”
Pas performancës, prezantuesi Carlo Conti e mbylli me një mesazh që përforcoi tonin e mbrëmjes:
“Lulet le të jenë vetëm për festime dhe kurrë mbi varret e fëmijëve që nuk kanë të bëjnë fare me marrëzitë e njerëzve.” Në një festival që zakonisht matet me duartrokitje dhe vota, Ermal Meta arriti diçka tjetër, e ktheu skenën në një hapësirë ku arti dhe ndërgjegjja u takuan pa kompromis.








