Një deklaratë që po trondit skenën muzikore shqiptare. Festivali i Këngës në RTSH është vënë në qendër të kritikës nga një zë që e njeh mirë nga brenda këtë format: Evi Reçi. E ftuar në podcastin Për veten, ajo nuk u kursye aspak:
“Ishte një festival i cili, ishte më i vakti që unë kam përjetuar ndonjëherë. Ky ishte i katërti pjesëmarrje e imja në festivalin e fundvitit. Nuk kishte energjinë e bukur, nuk kishte asgjë që ta shijoja”, u shpreh ajo, duke e vulosur qartë zhgënjimin për edicionin e 64-t.
Reçi shkoi edhe më tej, duke folur për përvojën personale në skenë: “Kisha sjellë një këngë shumë emocionuese dhe kjo ishte ajo që thoja që; ‘kam sjellë një pjesë, një këngë me kompozitor shumë të mirë Enisin, Erjona në tekst, ne të tre shumë të mirë dhe u bëmë një grup shumë i mirë me skenografi, me balet, me të gjitha dhe mendoj se nuk mori vëmendjen e duhur, vlerësimin e duhur, emocionin e duhur’… Si festival nuk më la një lloj shije nostalgjie ose të tipit ‘ah sa bukur ia kaluam’. Dihet festivalet kanë këtë negativitetin brenda, mungesë organizimi do të thoja dhe për këtë më erdhi keq. Vlerësimi ishte thuajse inekzistent për këngën time”.
Një kritikë e drejtpërdrejtë, pa filtra. Kur një artiste me katër pjesëmarrje flet për mungesë energjie, organizimi dhe vlerësimi, pyetja bëhet më e madhe se një edicion i vetëm. A po humbet festivali rolin e tij si barometër i muzikës shqiptare? Apo është kjo thjesht një fazë tranzicioni në një industri që po ndryshon me ritëm të shpejtë?
Debati sapo ka nisur.









