Paris, dashuri dhe dy nga emrat më të komentuar të momentit. Ylli i futbollit Kylian Mbappé dhe aktorja spanjolle Ester Expósito janë vënë në qendër të spekulimeve për një romancë të re, pasi u panë së bashku në kryeqytetin francez. Sipas mediave rozë, futbollisti 27-vjeçar dhe aktorja 26-vjeçare kaluan një mbrëmje në një restorant luksoz në Paris, ndërsa fotografitë që qarkullojnë në rrjetet sociale i tregojnë shumë të afërt gjatë darkës.
Pretendimet për lidhjen e tyre u publikuan fillimisht nga blogeri francez Aqababe, i cili shkroi se dyshja ishte parë në një bar të hotelit Pullman dhe madje “kishin kaluar gjithë mbrëmjen duke u puthur”, një postim që u bë shpejt viral në rrjet. Edhe pse as Mbappé dhe as Expósito nuk kanë konfirmuar publikisht një lidhje, fakti që të dy ndjekin njëri-tjetrin në Instagram dhe prania e tyre e përbashkët në Paris ka shtuar edhe më shumë kuriozitetin e fansave.
Aktorja, e njohur ndërkombëtarisht për rolin e saj në serialin e suksesshëm të Netflix “Elite”, kishte qenë e lidhur vetëm pak javë më parë me stilistin meksikan Nini Vélez. Së fundmi ajo ka publikuar edhe disa foto nga vendet ikonike të Parisit, nga Kulla Eiffel te Muzeu i Luvrit, duke shtuar edhe më shumë misterin për praninë e saj në qytetin e dashurisë.
Ndërkohë, Mbappé ndodhet aktualisht në Francë duke u rikuperuar nga një dëmtim në gju që e ka mbajtur jashtë fushës që nga dhjetori. Sulmuesi i Real Madrid pritet të mungojë edhe në ndeshjen e parë të UEFA Champions League mes Real Madrid dhe Manchester City. Por jashtë fushës, duket se emri i tij vazhdon të jetë po aq në qendër të vëmendjes, këtë herë jo për gola spektakolarë, por për një histori që mund të jetë romanca e re më e komentuar e showbizit europian.








