Influencerja dhe sipërmarrësja e njohur italiane Chiara Ferragni duket se ka nisur një kapitull të ri në jetën e saj sentimentale. Sipas raportimeve të mediave rozë, ajo është parë së fundmi në shoqërinë e partnerit të ri, José Hernandez, një menaxher me origjinë kolumbiane që jeton dhe punon në Milano.
Sipas revistës javore Chi, dyshja besohet se janë njohur gjatë pushimeve të Krishtlindjeve në Kolumbi, vend ku duket se ka nisur edhe historia e tyre e dashurisë. Burime pranë çiftit tregojnë se lidhja është zhvilluar gradualisht dhe se ata po kalojnë gjithnjë e më shumë kohë së bashku.
Fotot e publikuara nga paparacët i tregojnë Ferragni dhe Hernandez duke shëtitur në një park në Milano së bashku me qenin e influencueses, Paloma. Në disa prej imazheve, çifti shfaqet shumë i afërt, madje nuk mungojnë as momentet e përzemërta dhe një puthje mes tyre.
Ky zhvillim vjen pas ndarjes së Ferragni nga reperi italian Fedez, si dhe përfundimit të lidhjes së saj të mëvonshme me Giovanni Tronchetti Provera. Tashmë duket se influencerja ka gjetur sërish qetësinë dhe lumturinë në jetën e saj personale.







