Një nga grupet më ikonike të pop-it të viteve 2000, The Pussycat Dolls, po përgatitet për një rikthim të madh në skenën ndërkombëtare. Projekti i ri vjen me një formacion si trio, ku Nicole Scherzinger, Kimberly Wyatt dhe Ashley Roberts bashkojnë sërish energjitë për të ringjallur një nga markat më të njohura të muzikës pop.
Përveç rikthimit në skenë, artistet kanë prezantuar edhe një këngë të re, që shënon publikimin e parë muzikor të grupit pas këngës “React” të vitit 2019. Projekti është prodhuar nga Mike Sabbath, ndërsa në shkrimin e tij kanë kontribuar Nicole Scherzinger, Sabbath, Caroline Ailin dhe Solly. Paralelisht, trioja ka njoftuar edhe një turne të madh botëror, të titulluar “PCD Forever Tour”, i cili organizohet në kuadër të 20-vjetorit të albumit debutues “PCD”, një projekt që në kohën e publikimit e shndërroi grupin në një fenomen global.
Turneu pritet të përfshijë 53 koncerte në Amerikën e Veriut, Evropë dhe Mbretërinë e Bashkuar. Seria e koncerteve do të startojë më 5 qershor në Palm Desert, Kaliforni, ndërsa një nga ndalesat më të rëndësishme do të jetë Madison Square Garden në New York më 20 korrik. Pas kësaj, turneu do të vazhdojë në qytete të tjera të mëdha si Toronto, Montreal, Nashville dhe Dallas, përpara se të zhvendoset në Evropë, ku pjesa europiane e turit do të nisë më 9 shtator në Copenhagen dhe do të mbyllet më 13 tetor në The O2 Arena në Londër.
Në disa nga koncertet do të ketë edhe artiste të ftuara speciale, mes tyre Lil’ Kim dhe Mýa, duke e shndërruar këtë rikthim në një nga eventet më të pritshme të muzikës pop botëror.









