Pas lajmeve për arrestimin e këngëtarit Gjesti dhe akuzave se ai ka kërcënuar kompaninë muzikore Onima, reagimi i parë publik nga pala tjetër ka ardhur në një formë të papritur. Pronari i kompanisë, Erkand Shabani, nuk ka zgjedhur një deklaratë të gjatë apo një sqarim për mediat, por një mesazh të shkurtër simbolik të publikuar në Instagram Story, i cili ka tërhequr menjëherë vëmendjen e publikut dhe të rrjeteve sociale.
Në sfond të zi, Shabani publikoi një shprehje latine të njohur: “Aquila non capit muscas”. Një thënie që në shqip përkthehet si “Shqiponja nuk kap miza”, dhe që përdoret për të nënkuptuar se një figurë e madhe nuk merret me çështje të vogla apo me njerëz që nuk i konsideron të rëndësishëm. Edhe pse postimi nuk përmend asnjë emër drejtpërdrejt, shumë ndjekës e kanë interpretuar atë si një reagim indirekt ndaj situatës së krijuar pas arrestimit të artistit.
Ndërkohë, zhvillimet rreth kësaj çështjeje vazhdojnë të mbeten në qendër të vëmendjes së publikut. Sipas raportimeve, Gjykata Themelore në Prishtinë ka vendosur ndaj këngëtarit masën e paraburgimit me 30 ditë, ndërsa reagimi i shkurtër i Shabanit duket se ka shtuar edhe më shumë kuriozitetin dhe debatet në rrjetet sociale. Për momentin, mbetet për t’u parë nëse kjo përplasje do të pasohet nga deklarata të tjera zyrtare nga palët e përfshira në konflikt.








