Pas dekadash në majat e industrisë së filmit, Antonio Banderas ka bërë një zgjedhje që pak e prisnin, të largohet nga ritmi i shpejtë i Hollywood-it për të ndërtuar një jetë më të qetë dhe më autentike në Spanjë. Një vendim që nuk erdhi rastësisht, por pas një momenti të fortë personal në vitin 2017, kur përjetoi një atak në zemër, një kthesë që e shtyu të rishikojë gjithçka, nga prioritetet deri te mënyra si jeton çdo ditë.
“Sot, në Spanjë, ai i është rikthyer pasionit të tij të hershëm për teatrin”, thuhet nga njerëzit pranë aktorit për këtë kapitull të ri, ku Banderas ka investuar energjinë në Teatro del Soho, një hapësirë që ai e ka kthyer në një qendër kulturore aktive dhe të gjallë. Një rikthim te rrënjët artistike, larg kamerave të mëdha, por më afër thelbit të profesionit që e bëri të famshëm.
“Nuk kam qenë kurrë më i lumtur”, shprehet aktori, duke përmbledhur filozofinë e tij të re të jetës, më pak luks, më shumë qetësi. Ai ka lënë pas disa nga simbolet e jetës së tij të mëparshme, nga avionët privatë te zakone si duhani, duke zgjedhur një balancë mes artit, jetës personale dhe kohës për veten. Në një botë që vrapon drejt suksesit, Banderas duket se ka zgjedhur diçka më të rrallë, paqen.








