Në një kohë kur reality show-t shpesh prodhojnë reagime nga publiku pa fund, një mesazh i Rita Petros për hyrjen e Mimoza Ahmetit në “Ferma VIP” vjen si një manifest ndryshe, intim, poetik dhe thellësisht personal. Nuk është thjesht mbështetje për një mikeshë, por një deklaratë për një mënyrë të të jetuarit që sfidon normat, klishetë dhe kompromiset. Një kujtesë se rebelimi i vërtetë nuk bërtet, por mendon.
“Moza, ndonëse do të më marrë malli për takimet plot adrenalinë dhe aktivitetet tona të librit, uroj të rrish aty sa më gjatë e dalësh me fitore! Kjo shoqëria jonë ka nevojë të qeshë me humorin e mençur dhe jo atë banal, të mos skandalizohet nga kuptimi i drejtpërdrejtë i fjalëve, por edhe të vrasë mendjen për atë që nënkuptohet pas tyre, të reflektojë për maskën e hipokrizisë, që ti ua heq me buzëqeshjen ironike dhe tingullin e zërit fantastik”.
Në një mesazh që kalon përtej ekranit, Petro e vendos Ahmetin në një dimension më të gjerë se formati, si figurë që nuk i është nënshtruar kurrë “skemës”. “Je lidere e pjesës më rebele të brezit tonë që provoi diktaturën, por nuk ra kurrë viktimë e skematizmit, që nuk bëri kurrë kompromis as dje dhe as sot me rehatinë apo me bindjen ndaj pushteteve absolute”. Një portret që ndërtohet jo mbi famën, por mbi qëndrimin.
Mes artit, lirisë dhe një identiteti që refuzon të zbutet, mesazhi mbyllet si një hymn për autenticitetin e artistes: “Këndo, kërce, shkruaj, pikturo, dashuro, ironizo, trego ç’të duash, vish ç’të duash, ha si të duash, fli me kë të duash dhe kur të duash, loto, qaj e qesh sa herë të duash. Ti mbetesh Moza”. Ndoshta, pikërisht kjo është arsyeja pse hyrja e saj në një reality show nuk është vetëm një lëvizje televizive, por një moment kulturor.








