Në një shtëpi ku çdo lëvizje është strategji dhe çdo heshtje flet më shumë se fjalët, historia mes Mateos dhe Brikenës shfaqet si një nga ato marrëdhënie që mbeten pezull mes ndjenjës dhe krenarisë. Nuk është thjesht një raport që ftohet, por një pritje e ndërsjellë që e mban gjithçka në vendnumëro.
“Të dy jemi kokëfortë dhe mbajmë ato inatet tona. Ajo priste të vija unë, unë prisja të vinte Brikena”, rrëfen Mateo, duke zbuluar një dinamikë të njohur, ku askush nuk tërhiqet dhe askush nuk afrohet. Më tej, ai shton: “Normalisht jemi pak të ftohtë si fillim nga të gjitha ajo situatë që kaloi dhe shpresoj shumë që t’i zgjidhim çdo keqkuptim që kemi me njëri-tjetrin dhe se unë dua të jem me Brikenën edhe as nuk dua ta mërzis, as nuk dua ta lëndoj dhe të mirën nuk na e do askush më shumë sa e duam unë për Brikenën dhe Brikena mua, edhe unë sa herë jam me të sado mund të kem ato inatet mërzitë e mia, para saj i harroj dhe shpresoj shumë që të vazhdojmë sa më mirë bashkë”.
Ndërkohë, nga ana tjetër, emocionet e Brikenës duken po aq të pranishme, edhe pse të pathëna plotësisht. Distanca mes tyre nuk është mungesë ndjenje, por mesa duket një pauzë e mbushur me ego, reflektim dhe pritje. Sepse ndonjëherë, ajo që i ndan dy njerëz nuk është ajo që ndjejnë por fakti që të dy presin të njëjtin hap, nga tjetri.








