Zbulime të reja mbi jetën e princeshë Dianës kanë nxjerrë në pah se ajo kishte dyshime serioze për martesën me mbretin Charles III që në fillimet e lidhjes së tyre. Sipas një libri të ri kushtuar mbretëreshës Elizabeth II, Diana nuk ishte plotësisht e bindur për këtë marrëdhënie dhe madje kishte shprehur dikur dëshirën për t’u martuar me princ Andrew, një mik i saj i hershëm.
Autori thekson se Diana dhe Charles nuk kishin krijuar një njohje të thellë përpara fejesës. Madje, ajo e thërriste atë “Sir” deri në momentin kur lidhja e tyre u bë publike. Nga ana tjetër, edhe vetë Charles kishte pasiguri përpara martesës së vitit 1981, duke diskutuar me miqtë e tij nëse dashuria mund të zhvillohej pas martesës. Këto detaje hedhin një dritë tjetër mbi një nga martesat më të njohura në historinë moderne, duke treguar se ajo nisi mes pasigurish dhe hezitimesh nga të dyja palët.
Ndërkohë, traditat festive të familjes mbretërore britanike nuk ishin aspak të pëlqyera nga Diana. Ajo i konsideronte disa prej tyre të sikletshme, madje edhe frikësuese. Festimet e Krishtlindjeve dhe Vitit të Ri zhvilloheshin tradicionalisht në Sandringham Palace, ku ekzistonte një rregull i pashkruar: askush nuk duhej të shkonte për të fjetur para Mbretëreshës.
Sipas ish-sekretarit privat të Mbretëreshës, William Heseltine, këto mbrëmje të gjata ishin tepër të vështira për Dianën. Familja kalonte orë të tëra në biseda formale në sallon, ndërsa largimi para Mbretëreshës konsiderohej shkelje e etikës. E lodhur nga kjo situatë, Diana herë pas here gjente arsye për t’u tërhequr dhe për të shkuar për të fjetur, një veprim që nuk pritej mirë brenda rrethit mbretëror.








