Këngëtari nga Shqipëria, Gena, ka adresuar një padi për kompaninë muzikore ‘EmraCom’ pasi këta të fundit në një prej albumeve kolazh kanë renditur pa autorizim këngën ‘Ti, jeta’ nga Gena dhe Soni. Edlir Begolli për Indeksonline ka zbuluar detaje rreth padisë. “Kam bërë një kallëzim në zyrat qendrore në shtetin shqiptar pasi që është shkelur e drejta ime si autor i këngës dhe e drejta e dy interpretueseve, Gena dhe Sonit nga kompania muzikore ‘EmraCom’ e cila ka marrë pa asnjë autorizim këngën ‘Ti, jeta’ dhe e ka vendosur në album për shitje. Madje, edhe fotografinë e Genës dhe Sonit ka vendosur në kopertinën e albumit dhe kështu ka shkelur çdo të drejtë sepse nuk ka asnjë kontratë të nënshkruar me asnjërin prej nesh” ka thënë Begolli. Begolli është shprehur se ai dhe Gena do të qëndrojnë deri në fund prapa kësaj padie dhe se ky do jetë nga shembujt për reflektim të respektimit të të drejtave autoriale.