Ditën e sotme një video skandaloze e xhiruar në Shqipëri, bëri me shpejtësi xhiron e rrjetit. Në të shfaqej një burrë i cili dhunonte fizikisht me grushte e shkelma gruan e tij, në sy të dy fëmijëve të mitur. Ngjarja u zhvillua në mes të ditës, në një rrugë të qytetit të Vlorës. Pas denoncimit të rastit sidomos në rrjetet sociale, policia arrestoi agresorin. Më vonë në media, gruaja e dhunuar u shpreh se dëshironte të niste punë. Ky ishte dhe shkaku i dhunës nga burri. Teksa shumë qytetarë shprehën indinjatën e tyre në rrjetet sociale, këngëtarja Aurela Gaçe ka kërkuar të bëjë më shumë. Në fakt ajo ka dashur të ndihmojë zonjën me fëmijë, por pa bujë. Ka qenë gazetari nga Vlora Enrik Mehmeti, i cili e ka bërë publik faktin për të treguar anën humane të arstistes. “Ajo është e madhe jo vetëm në skenë por edhe në shpirt sepse i gjendet gjithmonë shtresave në nevojë pranë. Sapo mori vesh rastin e gruas së dhunuar sot, më kontaktoi për ta ndihmuar, madje u organizua dhe me njerëz të tjerë… Je e pakrahasueshme me asnjë Aurela Gaçe prandaj të dua, jo vetëm unë por të gjithë”, ka shkruar ai.