U bënë disa muaj që finalistja e “Big Brother 8”, Alba Çobaj, e cila ka qenë në qendër të vëmendjes së publikut për tre muaj “reality show”, ka deklaruar historinë e saj të re të dashurisë. I dashuri Enea Lloci jeton në Itali, kështu që u duhet të udhëtojnë shpesh për të takuar njëritjetrin. “Jam në Itali, jo për pushime mirëfilli, por për të takuar të dashurin, sepse ai jeton këtu. Kjo është e gjitha!”, tha Alba për gazetën “Panorama”. Po si është një lidhje në distancë? “E vështirë është, por kur ka dashuri, ia vlen. Kështu që e përballon edhe ndonjë konflikt që mund të dalë nga largësia. Plus që i mendojmë gjërat njësoj për jetën, prandaj janë të rralla konfliktet mes nesh”, tregoi ajo për historinë e saj. Pyetjes se në ç’raste u ndodh që të përfshihen në ndonjë konflikt, ajo i përgjigjet.”Po nga largësia, ndodh edhe që të ketë ndonjë keqkuptim”, tregoi Alba. Edhe pse është një vajzë e hapur, ajo ka zgjedhur që këtë histori ta mbajë paksa larg komenteve që mund të bëhen në media, duke shijuar në maksimum intimitetin. Para pak javësh ajo u komentua për një lajm fejese me të dashurin, nisur nga një detaj i kapur nga gazetarët në një nga fotot e saj. Fjala ishte për një unazë që Alba mban në gishtin e fejesës, dhe që u aludua për hedhjen e një hapi të rëndësishëm në lidhjen e saj vetëm tremujore. “Unë kam 10 vjet që mbaj unazë aty. Është çështje fiksimi, jam mësuar tashmë”, tha ajo për “Panorama” në lidhje me këtë thashethem. Sa për lidhjen aktuale, dhe nëse kanë bërë ndonjë plan serioz bashkë, ajo shprehet: “Është herët për të folur”. Fotot e e saj të para çift ajo i postoi nga Milano, ku dhe festuan muajin e parë të lidhjes.