“Ha si një kampion, luaj si kampion”, ky është çelësi i suksesit për një ndër lojtarët më të mirë të futbollit, Lionel Messi. Personi që kujdeset për mirëushqyerjen e tij, Dr Giuliano Poser, ka zbuluar dietën sekrete të yllit të Barcelonës, Lionel Messit. “Uji, vaji i mirë i ullirit, drithërat, frutat e freskëta dhe perimet bio janë disa nga produktet që ndihmojnë një sportist”, tregoi Poser për Mundo Deportivo. “Frutat e thata dhe farat e lirit janë gjithashtu shumë të mira”, rekomandon eksperti italian i dietave. “Vetëm se pa sheqer. Ky është armiku më i keq për muskujt. Edhe miellrat e rafinuar janë një problem i madh, kjo sepse sot është e vështirë të gjesh drithëra që nuk janë bërë më parë me pesticide”, shpjegon Poser. Ai e ka këshilluar Messin edhe për një përdorim të reduktuar të kripës, për të cilën gjithsesi trupi dhe muskujt kanë nevojë. “Kripa është e mirë, por në sasi të moderuar, pasi muskujt dhe trupi kanë nevojë për të” shtoi ai. Mjeku italian foli edhe për konsumin e mishit nga Messi, që është më i ulët nga sa ndodh zakonisht me popullsinë në Argjentinë dhe Uruguai, duke qenë se është i vështirë për t’u tretur.